Maqedoni

Ademi dhe Arifi vizituan gjimnazin e Tetovës

02.09.2014 18:29

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi dhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi dhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, gjatë ditës së sotme kanë vizituar gjimnazin e Tetovës, ku bashkërisht promovuan investimin që është bërë për rikonstruimin e objektit të gjimnazit me vlerë prej 200 mijë eurosh, mjete këto të ndara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
 
Numri një i këtij dikasteri, Abdylaqim Ademi, ka përgëzuar autoritetet komunale për vënien e disiplinës gjatë regjistrimit të nxënësve për vitin shkollor 2014/2015.
 
“Sot, bashkë me kryetaren e Komunës vizituam gjimnazin e Tetovës, ku u njoftuam edhe me aktivitetet që i ka ndërmarrë Komuna dhe Drejtoria për fillimin e vitit të ri shkollor, por gjithashtu promovuam edhe investimin që është realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në vlerë përafërsisht 200 mijë euro, ku është përfshirë fasada e jashtme, bashkë me izolimin e së njëjtës, dyshemetë, nyjet sanitare dhe ngrohja qendrore. Ajo që mund ta konstatoj me kënaqësi është fakti se Komuna e Tetovës ka arritur këtë vit të vendos një disiplinë më të mirë regjistruese”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, theksoi se Komuna do të vazhdojë në të ardhmen me angazhimin maksimal brenda shkollave, me qëllim rregullimin e infrastrukturës shkollore.
 
“Dëshiroj me këtë rast të falënderohem për bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, duke u nisur nga fakti që gjimnazi i Tetovës është një prej shkollave sinonim të qytetit të Tetovës, prandaj edhe investimi që është bërë është një investim i cili zë vend dhe që i ngre standardet infrastrukturore, ndërkohë që  ne si Komunë, ashtu siç e tha edhe ministri, jemi përkujdesur që të ruajmë standardet e regjistrimit gjithmonë, me qëllim që nxënësit apo shkollat e Tetovës të rikthehen në rangjet e larta, ashtu siç kanë qenë edhe më parë”- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Drejtori i gjimnazit të Tetovës, Namik Qemalmustafa, theksoi se falë rikonstruimit gjimnazi startoi këtë vit shkollor me një ambient shumë më të mirë dhe shumë të përgatitur. 
 
Ndërsa ministri Ademi, po ashtu bëri të ditur se Komuna e Tetovës tanimë ka dorëzuar iniciativën për ndarjen e gjimnazit të Tetovës, përkatësisht krijimin e dy shkollave të mesme. 
 
MIFTAR EMINI