Maqedoni

Apeli konfirmon dy vite burg për Buçkovskin

03.09.2014 11:51

Ish kryeministri i Maqedonisë dhe ministër i mbrojtjes, Vllado Buçkovski është dënuar me 2 vjet burg...

Më parë gjyqi e kishte dënuar atë me 3,5 vjet heqje lirie por pas ankesës së palës mbrojtëse, Gjyqi i Apelit në ueb faqen zyrtare ka publikuar se vetëm e ka ulur kohëzgjatjen e dënimit pas ankesës së avokatëve të Buçkovskit, ndërsa ankesa e prokurorisë publike është refuzuar si e pabazë.  

Por ish kryeministri Buçkovski, pas vendimit të gjyqit të apelit tha se drejtësinë do ta kërkojë në gjykatën supreme.

“Shtatë vite me radhë po zgjatë ky proces, shtatë vite e kërkoj drejtësinë, por nuk mund ta gjejë. Më lehtë do të gjeja një gjëlpër në mes të kashtës. Sidoqoftë, shpresa vdes e fundit, do ta kërkoj drejtësinë para instancave më të larta të gjykatave, në gjykatën supreme. Do të kërkoj ilaç juridik për rishikim të jashtëzakonshëm të gjykimit”, ka thënë Buçkovski.

Buçkovski së bashku me bashkëpunëtorët e tij janë akuzuar se në vitin 2001 kanë keqpërdorur funksionin e tyre zyrtarë gjatë blerjes së pjesëve rezervë për tanksë të tipit T-55 me çka e kanë dëmtuar shtetin për rreth 2,5 milion dollarë.  

Me dy vite burg për këtë vepër është dënuar edhe komandanti I atëhershëm i shtabit të përgjithshëm të ARM-së, Metodija Stamboliski.