Maqedoni
Vaji i djegur, alternativë helmuese e naftës
03.09.2014 16:02
Shpeshherë jemi dëshmitarë që në komunikacion, gjatë pritjes në semafor, ose gjatë parkimit të makinave...

Shpeshherë jemi dëshmitarë që në komunikacion, gjatë pritjes në semafor, ose gjatë parkimit të makinave, të dallojmë një erë të pazakonshme të makinave. Era e qoftes së pjekur ose patateve të skuqura shpeshherë kundërmon edhe në erë të vajit të djegur nga makinat. Për çfarë bëhet fjalë? TVM-2 investigon në terren.
Ndonëse me një numër të vogël dhe të parëndësishëm, por në Maqedoni është përhapur dukuria e përdorimit të vajit të djegur si lëndë alternativë dhe më e lirë në vend të naftës dhe gazit. TVM-2 zbulon se disa shoferë zëvendësojnë naftën e motorëve të makinave të tyre me vajin e djegur që blihet tepër lirë nga byrektoret apo kioskat tjera të ushqimit, madje edhe nga restorantet e mëdha.
Shumica e të anketuarve, para objektivit të kamerës sonë pranojnë se kanë hedhur në rezervuarin e tyre vaj të djegur dhe se me këtë metodë disa prej tyre madje kanë shkuar deri në Ohër. Por, vaji i djegur nuk mund të blihet gjithandej, shoferët duhet të kenë lidhje të forta me restorantet, sepse përdorimi i vajit në motor është i ndaluar me Ligj.
“Kemi dëgjuar diçka rreth kësaj, por vetë nuk e kam provuar. Por, më kanë thënë disa kolegë se voziten makinat me vaj të djegur”- u shpreh një qytetar.
“Unë personalisht jam vozitur me makinë e cila ka përdorur vajin e djegur në vend të naftës edhe atë për në Ohër. Unë dhe djali im shkuam dhe u kthyem në Ohër me vajin e djegur. Normalisht, pak i vinte erë patatesh të skuqura”- theksoi një qytetar.
“Vaji që përdoret nga sedviçarët nëpër byrektore dhe vendet ku i skuqin patatet, kam dëgjuar se ka vaj të djegur, por unë personalisht nuk kam provuar në praktikë a shkon makina a jo”- tha një qytetar.
“Në Maqedoni kam dëgjuar se po përdoret vaji i djegur dhe nafta e kuqe si derivate alternative, në Gjermani kjo nuk është e lejueshme. Ata furnizohen me këtë nga njerëzit që i njohin”- potencoi një qytetarë.
Profesori universitar i Fakultetit Makinerik, Mile Dimitrovski, konfirmon faktin e përdorimit të vajit të djegur në komunikacion. Makinat, të cilat lejojnë të bëhet kjo “ndërhyrje”, janë makina të naftës. Dimitrovski, konstaton se përdorimi i kësaj lënde nuk i shkakton defekte makinave, por ky vaj ndot mjedisin jetësor me grimca kancerogjene.
“Unë kam njohuri për këtë dukuri, disa qytetarë në disa vende marrin vajin e djegur dhe të papërpunuar dhe e shfrytëzojnë për motorët e makinave. Kjo gjë nuk shkakton pasoja për motorin, por ka pasoja për mjedisin jetësor, në të cilit hidhen grimca kancerogjene. Nëse motori është i vjetër mbi 12 vjet, ose nëse është motor i kamionëve apo traktorëve, ata nuk e ndjejnë ndryshimin, sepse vaji i djegur ka fuqi energjetike të njëjtë si dizeli”- deklaroi profesori universitar në Fakultetit Makinerik, Mile Dimitrovski.
Madje, për TVM- 2 Dimitrovski e shpjegon qartë teorinë e përpunimit të vajit të djegur në bio-dizel. Mënyra është shumë e thjeshtë dhe kërkon vetëm shumë pak kohë për të bërë dizel.
“Nëse marrim një kazan dhe e hedhim ndonjë lloj vaji dhe e nxehim në temperatura prej mbi 180 gradë celsius dhe në të hedhim pak alkool, pas një kohe në pjesën e poshtme të kazanit do të paraqitet 15 për qind glicerinë, e cila përdoret për prodhimin e sapunëve, ndërsa këtu lart do të paraqitet bio-dizeli, apo nafta e përpunuar”- theksoi profesori universitar në Fakultetit Makinerik, Mile Dimitrovski.
Sa për informacion, makina e parë në botë ka punuar në bazë të djegies së vajit të kikirave. Por, kjo metodë në botë është e palejueshme dhe sanksionohet me shuma të mëdha parash.
REXHEP QAMILI
