I jepet lamtumira e fundit “Komandant Lalës”
Sot i është dhënë lamtumira e fundit komandantit të batalionit të parë të Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, komandant, Mahi Halilit, i njohur si “Komandant Lala”....

Në varrimin e Mahi Halilit morën pjesë ish-udhëheqësit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, të kryesuar nga komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Ali Ahmeti, gjenerali, Gëzim Ostreni, kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu, ministra, deputetë, oficerë, ushtarë dhe miq e familjar, si dhe bashkëluftëtarë të Mahi Halilit.
“Komandant Lala” u lind në fshatin Shipkovicë të Tetovës më 20 qershor të vitit 1963. Mahi Halili, së bashku me një grup të zgjedhur të bashkëpunëtorëve nga Shipkovica, por në koordinim edhe me bashkëmendimtarë nga vendet tjera filluan përgatitjet për mobilizim. Ai u ballafaqua me shumë sfida që nga vitet e 90-ta, fillimi i Luftës së Kosovës ishte sfida e radhës dhe në këtë sfidë ai ishte përfshirë shumë më herët, që kur krisën pushkët e para.
Pas Kosovës, sfida e radhës për të ishte Maqedonia. Gjendja e rënduar politike dhe ekonomike e shqiptarëve në Maqedoni, detyroi këto të fundit që atë që nuk e arriti politika ditore, të kërkojnë ta marrin përmes pushkës. Mahi Halili, ishte një prej njerëzve kryesor në strukturën organizative të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në veçanti për rajonin e Malësisë së Tetovës, duke u emëruar komandant i batalionit të parë të Brigadës 112 “Mujdin Aliu”. (Miftar Emini, TVM2)
