Nxënësit ankohen për librat e dëmtuar
Libra pa kopertina, mungesë e disa njësive mësimore, mësime të zhgarravitura, janë pamjet të cilat i regjistroi objektivi i kamerës sonë te librat e filloristëve që kalojnë nga një gjeneratë te tjetra........

Arsimtarët thonë se faktori kohë ka ndikuar në amortizimin e librave të cilat kanë qenë të një cilësie të dobët dhe shprehin nevojën e patjetërsueshme për furnizim me libra të reja.
“Kemi nevojë të madhe për libra të reja, sepse shumë njësi mësimore mungojnë dhe ne nuk mundemi të realizojmë plan-programin e paraparë nga MASH-i. Kemi premtim nga drejtoria dhe MASH-i, se për një kohë të shkurtër do të kompensohen librat që mungojnë dhe jemi optimist të realizohen këto gjëra dhe të fillojmë me iplulsin që e kërkon nga ne MASH-i”- deklaroi arsimtari, Kastriot Bari.
“Nxënësit nuk kanë libra dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë edhe prindërit po ankohen se ne i blejmë vet, nuk kanë edhe ku t’i blejnë, problem e kemi me të vërtetë edhe me libra”- theksoi arsimtarja, Xhemile Aziri.
Edhe nxënësit ankohen se librat që u janë dhënë këtë vit janë të dëmtuara dhe ka kapituj të tërë që mungojnë, ndërsa ka edhe klasa të tëra që ende nuk kanë libra fare.
“Janë të dëmtuara dhe nuk janë kualitative dhe çdoherë kur mësojmë ndonjë mësim, duhet që të mësoj nga kompjuteri që kemi në shtëpi”- tha një nxënës.
“Të shkatërruara, nuk mund të mësojmë, janë disa fjalë që nuk mund t’i lexojmë dhe disa kapituj mësimor nuk janë aty dhe nuk mund të mësojmë ne”- u shpreh një nxënës.
Prindërit kërkojnë rregulla strikte në këtë drejtim.
“Janë katastrofë, pa kapakë, tash isha te klasa e djalit tim dhe mungonte gjithçka, tre libra ishin dhënë edhe ato ishin pa kapakë”- deklaroi një prindër.
“Që mësimi të mësohet duhen kushte. Tash kushtet nuk i ka asnjë prind që të t’i blejë librat për fëmijët e vet”- theksoi një prindër.
Ankesave të kësaj natyre u përgjigjet ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, i cili sqaron procedurën që duhet ta praktikojnë shkollat.
“Në çdo fundvit çdo shkollë duhet t’i paraqet librat e dëmtuara dhe në bazë të paraqitjeve ne i verifikojmë të njëjtat dhe i furnizojmë nxënësit me libra të reja. Aty ku ka pasur kërkesë dhe nevojë, aty janë furnizuar me libra, aty ku nuk ka pasur kërkesë, tash për tash do ngelen me libra të njëjta, mirëpo në bazë të nevojës, nëse nevoja është urgjente marrim për obligim të njëjtat t’i zëvendësojmë”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Keqtrajtimi i librave flet edhe për nivelin e kulturës sonë, e cila duhet ndryshuar, thonë mësimdhënësit, të cilët shtojnë se askush nuk ka të drejtë të dëmtojë librin, sepse vlera e tij është e shenjtë për lexuesin. (Flutura Latifi, TVM2)
