MAQEDONI

Grubi: Të reformohet gjyqësori

04.09.2014 18:20

Edhe krahas pengesave dhe bllokimeve, Maqedonia i zbaton të gjitha reformat për harmonizimin e legjislaturës së vendit me atë evropiane dhe qëllim kryesor ka marrjen e datës për fillimin e negociatave qasëse......

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, potencon se Maqedonia po arrin rezultate të shkëlqyeshme në sferat kyçe, si në gjyqësori, reformat ekonomike dhe lufta kundër korrupsionit.

“Ato që kanë të bëjnë me sistemin e gjyqësisë, rritja e pavarësisë dhe cilësisë në sistemin gjyqësor, liria e shprehjes dhe medieve dhe implementimi i MO-së dhe marrëdhëniet ndëretnike, reformat në Administratën Publike, Kodin Zgjedhor dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore. Të gjitha këto si fusha të identifikuara të prioritetit edhe në këtë periudhë, me planin aksionar të cilin e përcjell Qeveria, lidhur me raportin e progresit të cilin e presim në tetor”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, vlerëson se rruga e vetme e vendit është anëtarësimi Euroatlantik, andaj potencoi që në Gjykatat e vendit duhet të bëhen reforma urgjente dhe të hiqen standardet e dyfishta.

“Si ka mundësi se për akuza për korrupsion, për vjedhje të 2.5 milion eurove të fitohen 2 vjet burg, ndërsa për thyerjen e dy dritareve apo të një dritare të merret 3 vjet burg, si ka mundësi për thyerje të pronës private në Gjorçe Petrov të merren dënime me kusht, ndërsa për thyerjen e derivateve në Gjykatë të merren 3 vjet burg. Këto standarde të dyfishta në gjyqësorin tonë duhet të tejkalohen dhe ato prokurorë dhe gjykatës që kanë ngarkesa duhet t’ua lënë vendin njerëzve me frymë evropiane”- theksoi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Deputetët i dërguan apel opozitës që të shfrytëzojë momentin kyç për integrimet e Maqedonisë dhe të kthehet në vend, duke tejkaluar interesat e ngushta partiake.

“Opozita duhet t’i tejkalojë interesat e ngushta partiake dhe interesat shtetërore duhet t’i vendosin para së gjithash. Ato duhet të jenë në Kuvend. Ky është vendi për ku qytetarët i kanë zgjedhur. Ndërsa zgjerimi i BE-së nuk do të jetë në dëm të asnjë shteti anëtar të BE-së, duke e kyçur edhe Greqinë. Kjo është si në interes të Maqedonisë, ashtu edhe të BE-së”- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Deputetët, vlerësimet e tyre i dhanë gjatë diskutimit në Komisionin Parlamentar për Çështje Evropiane, ku bisedohej për harmonizimin e legjislacionit të Maqedonisë me atë evropian dhe marrjen e datës për fillimin e negociatave qasëse me BE-në. (Mefail Ismaili, TVM2)