Maqedoni
BDI: Përmendoret e reja mbajnë firmën e PDSH
07.09.2014 16:19
Sot janë vendosur edhe pesë përmendore të reja të projektit Qeveritar “Shkupi 2014”...
Përmendoret e reja janë të heronjve Petre Toshev, që do të qëndrojë përballë shtatores së Hasan Prishtinës, përmendorja e Andon Lazov Janev – Qoseto që vendoset tek kompleksi i Gjykatave, ajo e gjeneralit Mihajlo Apostolski tek qarkorja afër Hotelit Kontinental, përmendorja e Gjorgji Sugarevit në afërsi të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, dhe përmendorja e Nikolla Petrov Rusinskit, tek bulevardi “Filipi II”, afër Teatrit Kombëtar Maqedonas.
Vendimi për vendosjen e tyre është miratuar nga këshilli i Qytetit të Shkupit, ndërsa nuk dihet vlera e tyre edhe pse si donator paraqitet shoqata misterioze për bashkimin shpirtëror të personaliteteve maqedonase ‘Lerin’.
Vendosja e përmendoreve vëzhgohej nga Valentia Stefanovska, e cila është autore e një numrit më të madh të përmendoreve të vendosura në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.
Deri në këto momente ende nuk ka asnjë sinjal për vendosjen edhe të përmendoreve të personaliteteve shqiptarë dhe atë të Josif Bagerit, Nexhat Agolli dhe Pjetër Bogdani.
Për përmendoret e ngritura sot, kanë reaguar edhe partite politike. BDI-ja ka reaguar përmes një komunikate ku ka fajsuar PDSH-në.
“Në vitin 2007, projekti kontraverz, mono-etnik dhe mono-fetar ‘Shkupi 2014’, u miratua nga ministrat e PDSH-së të cilët qeverisnin me vendin, pa votat e shqiptarëve dhe nëpërmjet të uzurpimit të institucioneve shtetërore. Në Qershor të vitit 2014, PDSH mbeti besnike ndaj projektit që e karakterizon këtë parti politike. Në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit në muajin qershor, pika e 15 e rendit të ditës ishte miratimi i vendimit për vendosjen e 5 përmendoreve. Ky vendim kalohet me shumicë të dyfishtë dhe këshilltarët shqiptar lehtësisht mund ta rrëzonin nga rendi i ditës. Por, këshilltarët e PDSH-së të cilët qëndruan në mbledhje deri në pikën e 14 të rendit të ditës, çuditërisht u tërhoqën nga mbledhja para votimit të pikës së 15 (përmendoret) dhe në këtë mënyrë e mundësuan miratimin e këtij vendimi, për të cilin këshilltarët e BDI votuan kundër. Qëndrimi i Bashkimit Demokratik për Integrim për projektin kontraverz ‘Shkupi 2014’ është konsekuent dhe mbetet i pandryshueshëm. Ky projekt nuk pasqyron realitetin e shoqërisë në Maqedoni dhe paraqet një pasqyrë inekzistuese mono-etnike dhe mono-fetare të vendit”, thuhet veç tjerash në reagimin e BDI-së lidhur me vendosjen e 5 përmendoreve të reja të personaliteteve maqedonase.
Ndaj vendosjes së përmendoreve ka reaguar ashpër edhe Lëvizja qytetare “Zgjohu”.
“Po vendosen përmendore të reja gjersa rrugët e Shkupit po vërshohen çdo ditë nga shiu më i vogël, gjersa kanalizimi mungon në gati se të gjitha lagjet e kryeqytetit, ndërsa rrugët, ndriçimi, parqet, spitalet, shkollat janë në mjerim. Kur do të tejkalohet kjo krizë e identitetit? Edhe sa përmendore ju duhen që të ndjeheni ashtu si ju mendoni që duhet të ndjeheni? Shkupi po shndërrohet në qytet ku përmendoret kanë prioritet para qytetarëve të cilët jetojnë në këtë qytet dhe kontribuojnë nëpërmjet taksave në mbarëvajtjen e qytetit” thuhet në reagimin e Lëvizjes qytetare “Zgjohu”
MEFAIL ISMAILI
