Maqedoni

Historiku i pavarësisë

08.09.2014 17:06

Në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991 shumica absolute, apo mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin...

Në  referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991 shumica absolute, apo mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit "A jeni për Maqedoni të pavarur, me të drejtë të hyjë në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë".  

Referendumit i parapriu Deklarata për pavarësi të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991.

Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.

 Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e shqiptarëve dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çka pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina.

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1992, e më pas themeloi edhe Armatën. Subjektiviteti ndërkombëtaro-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore.  

Por për shkak të kundështimeve dhe presioneve të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ashtu siç vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite, pasi negociatat rreth kontestit të emrit nuzk kanë sjellur ndonjë epilog përfundimtarë.

FLUTURA LATIFI