Maqedoni

Millanoviq: Maqedonia të tejkalojë bllokadën greke

09.09.2014 16:53

Maqedonia dhe Kroacia kanë raporte të mira ndërshtetërore si në aspektin eurointegrues, aspektin politik dhe atë ekonomik dhe ky bashkëpunim duhet të intensifikohet edhe më shumë...

Kështu vlerësuan dy kryeministrat e vendeve përkatëse gjatë takimit në Shkup, Nikolla Gruevski dhe homologu kroat, Zoran Millanoviq. Ata iu bënë thirrje Organizatave Ekonomike, si dhe Kompanive që ta intensifikojnë bashkëpunimin e ndërsjellë mes dy shteteve. 
 
“I hapëm të gjitha çështjet e rëndësishme, këmbyem shumë përvoja si në pjesën e ekonomisë, në pjesën e NATO-s, BE-së, pasi që Kroacia është anëtare, si dhe pjesën politike. Mund të them se ne edhe tani edhe në të ardhmen Kroacinë e shohim dhe e vlerësojmë si partner të Republikës së Maqedonisë. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në raporte të mira politike, në takime të këtij niveli. Do të punojmë edhe më shumë që t’i inkurajojmë Kompanitë tona të japin shërbime më shumë për punën e tyre”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Kryeministri kroat, Millanoviq, tha se Maqedonia patjetër duhet ta tejkalojë bllokadën greke për proceset eurointegruese në NATO dhe BE. 
 
“Kjo gjendje patjetër të ndërpritet. I kuptojë problemet dhe frikën e disa shteteve. Historia është diçka që nuk mund ta ndryshojmë, kurse ajo mund të kushtëzojë shumë punë. Por, jetojmë në të tashmen, e di që kjo tingëllon si një frazë, por Maqedonia është shtet i vogël dhe nuk është në rrezik për askënd. Deri më tani ka zhvilluar biznes-klimë të mirë”- theksoi kryeministri i Kroacisë, Zoran Millanoviq.
 
Kryeministri i Kroacisë, Millanoviq, realizoi takim edhe me kryetarin e Shtetit, Gjorge Ivanov dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Popovskin. 
 
AFRIM TANALLARI