Maqedoni

Në Rashçe të Sarajit nisi sot viti shkollor

09.09.2014 17:10

Procesi mësimor, ndonëse me vonesë dyjavore, filloi edhe për nxënësit dhe kuadrin arsimor në shkollën fillore “Drita” në fshatin Rashçe të Komunës së Sarajit...

Kjo u bë e mundur pasi që Komuna ka rinovuar çatinë dhe ka bërë lyerjen e objektit shkollor, në mënyrë që të sigurohen kushte minimale për vijimin e procesit mësimor.
 
“Ne jemi të vetëdijshëm që në këtë shkollë duhet një intervenim më i madh dhe rinovim i tërësishëm i kësaj shkolle. Ne presim që MASH-i të marrë hapa konkrete për rinovimin e kësaj shkolle, ne presim hapa serioze nga ky moment e tutje dhe deri në gjysmë-vjetorin e dytë të nisin edhe punët konkrete për rinovim të tërësishëm të kësaj shkolle”- deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
 
Në këtë shkollë mësimin e ndjekin 424 nxënës, andaj kryetari i Komunës, Bekim Murati, drejtori i shkollës dhe mësimdhënësit kërkojnë nga ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, krijimin e kushteve adekuate për vijim të procesit mësimor.
 
“Kërkojmë nga ministri i Arsimit, pasi edhe vetë u prononcua për këtë ngjarje. Ne kemi shpresa dhe besojmë se MASH-i do të ndërmarrë diçka dhe ne ngelim me shpresë që viti i ardhshëm shkollor të nis në kushte normale”- theksoi drejtori i sh. f. “Drita”, Ramadan Kovaçi.
 
“Presim që të furnizohemi edhe me mjete inventarë dhe me libra, që do të ishin një ndër kushtet kryesore që të vazhdojmë punën që është e nevojshme me nxënësit”- potencoi pedagogu, Shaban Kovaçi.
 
Kjo shkollë është ndërtuar në vitet 40 dhe që atëherë nuk është bërë asnjë investim në të. Në gjendje të mjerueshme janë edhe nyjet sanitare, të cilat shfrytëzohen nga nxënësit. 
 
Ndërkohë, javën e kaluar, ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, u premtoi banorëve të fshatit rikonstruimin e shkollës gjatë tetë muajve të ardhshëm.
 
FLUTURA LATIFI