Maqedoni

Skulpturat shqiptare humbën në sirtarët e komunave

10.09.2014 17:04

Nuk ka asnjë sinjal se kur do të vendosen përmendoret e heronjve shqiptarë në kryeqytet...

Kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, për TVM-2 sot u shfaq si jokompetent i kësaj çështjeje, duke theksuar se vendosja e tre veprimtarëve shqiptar në Shkup nuk është nën ingerencat e tij.
 
Tre monumentet shqiptare, të cilat janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”, nuk u gjetën as sot në rendin e ditës të Trupit Koordinues të kryetarëve të komunave të Shkupit. 
 
“Kjo nuk është nën kompetencat tona dhe me Trupin Koordinues të kryetarëve nuk e kemi diskutuar këtë çështje”- theksoi kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Edhe komuna Qendër nuk e ka të qartë se ku ka mbetur procedura për vendosjen e përmendoreve shqiptare. Para një muaji, nga kjo komunë deklaruan për TVM-2 se faturat për punimin e përmendoreve nuk janë paguar fare. 
 
“Që të vendosen përmendoret e tre veprimtarëve shqiptar, të cilat e dimë që janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”, duhet të paguhen faturat për punimin e tyre. Kompetentët në komunën Qendër ende nuk mund t’i gjejnë dhe i kërkojnë faturat. Opinioni e di se çfarë ndodhi mes rretheve zgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale dhe se shumë nga dokumentacioni humbi”- deklaroi zëdhënësja e Komunës Qendër, Katerina Canevska.
 
Jozyrtarisht mësojmë se është zhvilluar një takim mes kreut të komunës Qendër, Andrej Zhernovski dhe një delegacioni të Bashkimit Demokratik për Integrim, për të parë se ku ka ngecur çështja e përmendoreve shqiptare.
 
Vendosja e përmendoreve të Nexhat Agollit, Pjetër Bogdanit dhe Josif Bagerit në Shkup, duhej të ndryshonte karakterin monoetnik të  projektit  “Shkupi 2014 “ dhe të ulte pakënaqësinë e shqiptarëve.
 
REXHEP QAMILI