Maqedoni
Zaev vazhdon punën me qeverinë nën hije
10.09.2014 18:55
Pesë drejtori dhe 17 komisione. LSDM ndërton sistem pandan sistemit të institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe lokal...

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, zbardhi edhe shtyllën e dytë të strategjisë së opozitës maqedonase për veprim jashtëparlamentar.
“Është bërë hapi i dytë për realizimin e strategjisë për veprim politik të LSDM-së. U përcaktua radhitja e kuadrove të shtyllës që e paralajmëruam si sistem qendror i komisioneve, i cili do ta ndjek me vëmendje punën e çdo Ministrie, organ dhe institucion në nivel qendror dhe lokal dhe do t’i korrigjojë politikat e dëmshme, duke iu kundërvënë me alternativë cilësore, serioze, reale dhe të dukshme”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
LSDM nuk do të jetë qeveri nën hije, por çdo ditë do të tregojë për politikat e gabuara të pushtetit. Partia maqedonase në opozitë nuk kërkon as mbështetjet e ndërkombëtarëve për formimin e një qeverie teknike. Kjo mbetet një nga kërkesat kryesore të LSDM-së për t’iu rikthyer institucioneve.
“Ne nuk kërkojmë mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare për qeveri teknike. Kjo është kërkesë eksplicite e formuluar nga LSDM si kërkesë për qeveri teknike. Arsyeja është garanca praktike për zbatimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike. Qeverinë teknike e kërkojmë gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare, kurdo që të mbahen ato”- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Në seancën e djeshme të Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, është marrë vendim që shtyllën e katërt të strategjisë ta kryesojë ish-kandidati për president, Stevo Pendarovski, i cili së bashku me drejtorët e pesë drejtorive dhe kryetarët e 17 komisioneve do të punojë në terren për të fituar mbështetjen e sektorit civil dhe të qytetarëve.
SHPËTIM NUREDINI
