Maqedoni

Volers, kritika politikanëve në Maqedoni

11.09.2014 17:49

Politika që bëjnë liderët politik në Maqedoni është recetë se si shkatërrohet një shtet dhe jo politikë që ndihmon tejkalimin e konflikteve...

Me një vlerësim të këtillë   ambasadori i ShBA-ve në Shkup, Pol Volers, ishte sot më i ashpër se kurrë. Në përgjithësi, liderët politik në Maqedoni politikën e shohin si lojë për përfitime personale dhe partiake, tha Volers në Konferencën Shkencore me rastin e 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore. 
 
“Fatkeqësisht në shumë vende, më vjen keq që duhet të them edhe në këtë vend, përgjithësisht shoh liderë që politikën e shohin si lojë afatshkurte për të përfituar për vete dhe për partinë e vet, e cila nxit konflikt në vend që të punojnë për t’i zgjidhur konfliktet. Mendoj se kjo është recetë për të shkatërruar shtetin”- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Shkup, Pol Volers.
 
Edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës qëndroi në të njëjtën vijë. Bazuar në të dhënat historike, Ademi tha se konfliktet mes popujve kryesisht në Ballkan janë nxitur nga udhëheqësit e tyre.  
 
“Janë pikërisht udhëheqësit e tyre që kanë instaluar përçarje mes popujve, prandaj udhëheqësit e sotëm duhet të mësojnë nga shembujt negativ të historisë dhe të mos lejojnë që e njëjta të na përsëritet, kurse shembujt pozitiv t’i promovojnë. Popujt që jetojnë në këto troje kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ka shumë gjëra që i bashkojnë”- theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
Përderisa shtetet më të fuqishme kanë mësuar nga pësimi në luftëra, vendet e Ballkanit kanë dështuar në këtë drejtim, thotë drejtori i Institutit të Historisë Nacionale, Dragi Georgiev.
 
“Heronjtë dhe mitet tona nacionale ende janë, ndoshta edhe më të gjallë se sa në jetën e tyre të vërtetë. Ende historia është ajo që përcakton jetën tonë. Për fat të keq, në Ballkan historia është më prezente se e tashmja dhe e ardhmja”- potencoi drejtori i Institutit të Historisë Nacionale, Dragi Georgiev.
 
Edhe paqja më e brishtë është më e mirë se lufta, thotë historiani, Skënder Hasani, tani edhe drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Duke iu referuar pasojave nga Lufta e Parë Botërore, Hasani përcolli mesazhin për paqe dhe tejkalimin e kontesteve përmes dialogut.   
 
“Akoma zbulohen varreza të asaj lufte, ndërsa fatkeqësia është se ne ballkanasit për fat të keq vazhduam të përsërisim historinë, qoftë me zhvillimin e Luftës së Dytë Botërore, por edhe me ato që pasuan pas viteve 90-ta”- tha drejtori i ITShKSh-së, Skënder Hasani.
 
Ndryshe, në Konferencë përpos studiuesve, morën pjesë edhe ambasadorë, ministra e bartës të funksioneve tjera publike, të cilët theksuan nevojën për të mësuar nga humbjet dhe pasojat që pati njerëzimi gjatë luftës, kësaj lufte të madhe.
 
Në Konferencë u paraqiten me kumtesa studiues të njohur të historisë nga vendi dhe jashtë. Kumtesat e paraqitura në këtë Konferencë do të botohen në një nga numrat e veçantë të revistës “Scupi”, botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.
 
SHPËTIM NUREDINI