Maqedoni

Gruevski në Turqi, asnjë shqiptar në delegacion

15.09.2014 12:11

Një delegacion qeveritar i udhëhequr nga kryeministri, Nikolla Gruevski, prej sot do të qëndrojë për vizitë disaditore në Republikën e Turqisë

Një delegacion qeveritar i udhëhequr nga kryeministri, Nikolla Gruevski, prej sot do të qëndrojë për vizitë disaditore në Republikën e Turqisë, e cila është partner i vlefshëm ekonomik dhe tregtar i Maqedonisë.
 
Por edhe pse Turqia është partner i rëndësishëm ekonomik dhe lobi shqiptar atje është mjaft i fuqishëm, në delegacionin qeveritar Gruevskin e shoqërojnë vetëm ministrat pa portofol për tërheqje të investimeve të huaja, Bill Pavlleski dhe Furkan Çako, si dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Nxitje të Eksportit, Kliment Shekerovski. 
 
Në suaza të vizitës është parashikuar të mbahen disa forume të biznesit, në të cilat do të prezantohen risitë që u ofrohen investitorëve të huaj dhe do të realizohen edhe takime me kreun shtetëror.
 
Për sot është paralajmëruar forum i biznesit në rajonin industrial Koxhaeli dhe qytetin Izmir, ku delegacioni qeveritar  para biznesmenëve turq do t'i prezantojë kushtet e volitshme që i ofron Maqedonia për udhëheqje të biznesit.
 
Forumi i biznesit organizohet në bashkëpunim me Odën Industriale të Koxhaelit, e cila është qendër e  rëndësishme për industrinë e zhvilluar automobilistike, ku në mënyrë të suksesshme funksionojnë një sërë zonash industriale. 
 
Të mërkurën pritet delegacioni qeveritar të realizojë takim me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan dhe me kryeministrin turk, Ahmet Davutogllu. 
 
Turqia është mes 10 vendeve më të vlefshme si partner tregtar i Maqedonisë. Në vitin 2013, Turqia ishte në vendin e nëntë, ndërsa investimet e huaja direkte në dy vitet e fundit arrijnë në 44 milion euro.
Turqia bën pjesë në grupin e ekonomive në rritje të shpejtë në Evropë, me rritje të bruto-prodhimit shoqëror prej katër për qind në vitin e kaluar dhe është njëra nga 20 ekonomitë më të mëdha në botë.