Maqedoni

21 Shtatori, “Dita ndërkombëtare e paqes”

16.09.2014 15:21

Stop për luftën speciale kundër shoqërisë civile-kjo është kredoja që sot publikuan organizatat joqeveritare në nderë të 21 shtatorit...

Stop për luftën speciale kundër shoqërisë civile-kjo është kredoja që sot publikuan organizatat joqeveritare në nderë të 21 shtatorit, “Ditës ndërkombëtare të paqes”.
 
Nuk mund të ketë shtet të së drejtës pa mos u respektuar të drejtat e njeriut dhe ne si organizata joqeveritare do të organizojmë një varg manifestimesh në nderë të paqes, tolerancës dhe të drejtave të njeriut, theksuan organizatat joqeveritare.      
        
“Është bërë e paimagjinueshme se si i është mbyllur goja çdo qytetari, madje edhe e drejta e tij elementare është vënë në pikëpyetje. Kjo më së miri u pa në protestat që kishin qytetarët njëra pas tjetrës. Ne si organizatë joqeveritare kemi mbetur të vetëm në luftën për të drejtat e qytetarëve dhe jorastësisht jemi bërë e vetmja strehë për qytetarët dhe të drejtat e tyre”- deklaroi udhëheqësi i OJQ-së “CIVIL”, Xhabir Derala.
 
Drejtoresha e përgjithshme e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, tha se abuzimi i të drejtave të qytetarëve është drejtpërdrejtë i lidhur me sundimin e së drejtës.
 
“Institucionet shtetërore abuzohen me partizimin e skajshëm. Këto institucione punojnë vetëm në interes të partive në pushtet. Kufiri në mes institucioneve të shtetit dhe partive në pushtet është fshirë totalisht. Sistemi zgjedhor është tërësisht i korruptuar në kundërshtim me principet bazë të demokracisë”- tha drejtoresha gjenerale e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska.
 
Deri në fund të vitit, organizatat joqeveritare do të organizojnë një varg manifestimesh në nder të të drejtave të njeriut, paqes botërore, si dhe tolerancës në mes etnive të ndryshme.
 
MEMEDALI JUSUFI