Maqedoni
Java evropiane e qarkullimit
16.09.2014 15:44
Prej sot e deri më 22 shtator, në Maqedoni dhe mbarë Evropën, me moton “Rrugët tona, zgjedhja jonë” do të shënohet java evropiane e qarkullimit...
Ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, me këtë rast apeloi që automjetet të shfrytëzohen me përgjegjësi, të zgjidhet transporti me mjete miqësore me mjedisin, që do të thotë të shfrytëzohen përparësitë e mënyrës së jetesës urbane bashkëkohore, por duke mbajtur llogari për mjedisin jetësor dhe ndotjen që e shkaktojmë.
“Të menduarit dhe zgjedhja e mënyrës së transportit do të thotë mjedis jetësor më i pastër, zvogëlim i zhurmës, shëndet më i mirë, e shpeshherë edhe buxhet i kursyer familjarë, por edhe shtetëror”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
Me një sërë aktivitetesh, pjesë e shënimit të javës evropiane të qarkullimit është edhe qyteti i Shkupit. Kryetari, Koce Trajanovski, vlerësoi se bëhet fjalë për një fushatë që promovon misionin e rrugëve të qytetit, ku nuk dominojnë automjetet motorike.
“Me bashkëngjitjen ndaj javës globale të qarkullimit dhe respektimin e qëllimeve të saj, të gjithë ne bëjmë shumë për pastërtinë e ajrit dhe ambientit jetësor ku jetojmë, kualitetin e jetës, për sigurinë e qytetit, për shëndetin tonë fizik dhe psikik”- tha kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.
Aktivitetet e javës evropiane të qarkullimit mbahen nën koordinim të Ministrisë së Ambientit Jetësor, ndërsa krahas qytetit të Shkupit, me një sërë aktivitetesh do të përfshihen edhe katër qytete tjera të vendit, si: Manastiri, Berova, Strumica dhe Velesi. Ndërsa aktivitetet realizohen në partneritet me Delegacionin Evropian në Maqedoni dhe Qendrën Informative të BE-së në Shkup.
GYLTENE SINANI
