Botë

Protesta dhe tensione para UP-së

04.12.2014 18:16

Ka eskaluar në përleshje me policinë protesta e sotme para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës...

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e rektorit, Ramadan Zejnullahut, e madje edhe kanë tentuar të bëjnë përpjekje për të hyrë me dhunë në objektin e rektoratit.
 
Ata janë ndaluar nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës, ku nga përleshjet, është lënduar lehtë një nga policët.
 
Ndërsa përfaqësuesit e veteranëve kanë kërkuar nga protestuesit për përmbajtje dhe qetësi.
 
 
Pas eskalimit të situatës, është vërejtur edhe shtimi i forcave policore, të cilët e kanë rrethuar të gjithë objektin e rektoratit. 
Ndryshe, protesta para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës filloi me brohoritjet “Poshtë rektori”, “UÇK-UÇK”.
 
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së organizuar protestën, në shenjë pakënaqësie me mos përfilljen e kërkesës së tyre për regjistrimin pa konkurs të njëmijë studentëve në Universitetin e Prishtinës, fëmijë të dëshmorëve dhe të të afërmve të tyre.  
 
Smajl Elezaj, ushtrues i detyrës së udhëheqësit të Veteranëve të UÇK-së, ka akuzuar Rektoratin e Universitetit të Prishtinës se nuk po e zbaton memorandumin e mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Arsimit, universitetit dhe veteranëve.
 
Por, sipas rektorit Zejnullahu, kjo ndihmë është dhënë me pikë bonos, disa janë regjistruar, ndërsa të tjerë kanë mbetur pa u regjistruar, ashtu sikurse edhe shumë kandidatë të tjerë.
 
Njëherit, është vlerësuar se është keqpërdorur kjo mundësi dhe në listë janë përfshirë edhe persona që nuk u takojnë kategorive të luftës.
 
GYLTENE SINANI