Maqedoni

Tivat, Samiti BE - Ballkani Perëndimor, Mickoski: BE me porosi se procesi i zgjerimit mbetet i gjallë

05.06.2026 15:02

Samiti i Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor në Tivat...

Samiti i Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor në Tivat, me sinjale se zgjerimi është ende gjallë edhe për Maqedoninë e Veriut.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski është i kënaqur nga takimet e zhvilluara me presidentin francez Emanuel Makron, si dhe kancelarin gjerman Fridrih Merc. Edhe pse nuk jep detaje, nëse është ushtruar trysni për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, Mickoski thotë se detyra e Shkupit zyrtar është realizimi i reformave dhe ruajtja e dinjitetit kombëtar maqedonas.
 
“Këto janë momente kur praktikisht BE-ja, gjegjësisht Këshilli Evropian e thotë qartë se procesi i zgjerimit mbetet i gjallë. Detyra jonë si Qeveri është që këtë proces ta ruajmë, ta avancojmë, por njëkohësisht mos të humbim dinjitetin, sikurse ishte shembull në dekadat e shkuara kur bëhet fjalë për aspiratat tona për anëtarësim në BE.”,  - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Radev: RMV të ndryshojë Kushtetutën
 
Por, kryeministri bullgar Rumen Radev rikujton përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë krahas reformave.
 
“Ftojmë ata që të ndryshojnë Kushtetutën dhe të shkruajnë bullgarët në Kushtetutën e tyre. Është shumë e thjeshtë. Ata duhet të bëjnë vetëm këtë hap që të hapin derën e procesit negociues.”, - theksoi kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Mali i Zi, anëtare e BE-së gjatë vitit 2028
 
BE-ja vlerëson përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke thënë se janë shumë afër përfundimit. Për Malin e Zi konfirmojnë bashkëngjitjen gjatë vitit 2028.
 
“Mendoj se kemi dëshmuar maturi dhe unitet politik kur bëhet fjalë arritja e këtyre qëllimeve. Unë pas këtij samiti kam besim absolutisht se anëtarësimi i Malit të Zi në BE gjatë vitit 2028 është plotësisht i arritshëm.”, - u shpreh kryetari i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
 
Në samit u theksua rëndësia e përshpejtimit të zgjerimit të Familjes Evropiane, duke e bërë procesin më të dukshëm.
 
“Procesin e zgjerimit duhet ta bëjmë më të shpejtë dhe të besueshëm. Me fjalë të tjera, nëse shteti kandidat zbaton reformat, do të duhet të ecë përpara me mbylljen e kapitujve drejt rrugës së BE-së.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
 
“Inkurajoj të gjithë partnerët të shohin mundësinë, të shfrytëzojnë momentin aktual dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm, të përshpejtojnë përparimin e tyre në rrugën evropiane.”, - theksoi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Kosta. 
 
BE-ja këtë javë do të hapë klasterin e parë për procesin e zgjerimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Në samit u diskutua edhe plani i rritjes në vendet kandidate me investime që do të vijnë pas reformave.  BE-ja veç më ka investuar 675 milionë euro dhe financimi i radhës është rrugës që peshon 540 milionë euro.
 
MERAL ISMAILI