Rajon
Protesta në Prishtinë në mbështetje të studentëve shqiptarë nga RMV-ja
05.06.2026 15:29
Studentët nga universitetet e Kosovës protestuan para Ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë...

Në mbështetje të kërkesës së studentëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, studentët nga universitetet e Kosovës protestuan para Ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë. Protestuesit, me këtë rast, theksuan se kanë dalë në këtë protestë për ta mbështetur kauzën e studentëve shqiptarë nga Maqedonia, pasi, siç thonë ata, asnjë jurist nuk është më pak profesionist, nëse i nënshtrohet provimit në gjuhën amtare.
“Në vitin 2026 ende po vihet në diskutim nënshtrimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ne si studentë konsiderojmë se studentët kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit në gjuhën që ata e njohin më mirë. Asnjë student nuk është më pak profesionist, asnjë jurist nuk është më pak profesionist, nëse i nënshtrohet provimit që ai e njeh më mirë.”, - deklaroi Olta Bajrami nga Këshilli Studentor i Fakultetit Juridik UP.
“Ne, si protestë sot, nuk kërkojmë asgjë më shumë, nuk kërkojmë asnjë privilegj të madh, kërkojmë vetëm të drejtën e shqiptarëve për t’iu nënshtruar testit të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare, gjuhën që ata më së miri e kuptojnë dhe e kanë gjuhë të nënës.”, - theksoi studenti i Universitetit të Prishtinës, Granit Spahiu.
“Ne jemi mbledhur që gjuha shqipe të mos mohohet e të mos trajtohet si privilegj, sepse gjuha shqipe nuk është privilegj, është e drejtë e gjithsecilit.”, - u shpreh studentja Dejllza Perteshi nga Universiteti i Prishtinës.
“Jemi mbledhur sot këtu, jo për të kundërshtuar një shtet, një popull apo një komunitet, po për të mbështetur një parim themelor të çdo shoqërie demokratike të drejtën për trajtim të barabartë dhe respektimin e të drejtave gjuhësore. Gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, ajo është pjesë e identitetit, dinjitetit dhe mundësisë të çdo qytetari për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në jetën publike dhe profesionale. Kërkesa që provimi i jurisprudencës dhe provimeve të tjera të mbahen edhe në gjuhën shqipe nuk është kërkesë për privilegj, por është kërkesë për barazi.”, - theksoi Donart Humolli nga Parlamenti Studentor.
Protesta në Prishtinë në mbështetje të studentëve shqiptarë nga Maqedonia erdhi pas asaj të ditëve më parë në Tiranë dhe dy protestave paraprake në Shkup, me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Ndërsa autoritetet në vend kanë premtuar zgjidhjen e kësaj çështjeje, për çka është formuar edhe një grup punues, i cili, siç ka paralajmëruar kryeministri Mickoski, propozim-zgjidhjen do t’ia prezantojë Qeverisë të hënën e javës së ardhshme.
GYLTENE SINANI
