Kasami: 100 trotinetët janë dërguar në servisim, SPB Tetovë: Vitin e kaluar, 37 aksidente me trotinetë
Vetëm pak muaj pas vendosjes së tyre në përdorim...

Vetëm pak muaj pas vendosjes së tyre në përdorim, 100 trotinetët elektrikë, që qytetarët e Tetovës mund t’i shfrytëzonin me qira, nuk shihen më në qarkullim në rrugët e qytetit. Lidhur me këtë çështje, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sqaroi se trotinetët janë tërhequr për servisim dhe riparime, për shkak të dëmtimeve të shumta që kanë pësuar gjatë përdorimit.
“Do të kthehen shumë shpejt. Janë mjete komunikacioni që shfrytëzohen në kushte atmosferike. Operatori që ka marrë të drejtën për vendosjen në qarkullim të tyre ka bërë servisimin dhe riparimin e të gjithëve, sepse fatkeqësisht një pjesë e madhe e tyre janë dëmtuar. Besoj se shumë shpejt do të rikthehen në qarkullim.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Nga ana tjetër, trotinetët elektrikë vazhdojnë të konsiderohen si një problem serioz në komunikacionin e qytetit, pasi shumë prej përdoruesve të tyre nuk respektojnë rregullat e trafikut.
Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 37 aksidente ku kanë qenë të përfshirë trotinetë elektrikë, ndërsa vetëm gjatë këtij viti deri më tani janë evidentuar mbi 10 raste të tilla.
Nga SPB Tetovë rikujtojnë edhe një herë rregullat që duhet t’i respektojnë drejtuesit e trotinetëve elektrikë.
“Ata janë të detyruar të lëvizin nëpër shtigjet e biçikletave, ndërsa në mungesë të shtigjeve të tilla janë të detyruar të lëvizin nëpër trotuare me shpejtësi deri në 6 kilometra në orë. Duhet të mbajnë pajisje të përcaktuara me rregullore, si helmeta mbrojtëse, mbrojtëse të bërrylave dhe gjunjëve. Gjatë natës duhet të mbajnë edhe jelek reflektues. Mosha minimale për drejtimin e trotinetit është 14 vjeç.”, - thuhet në komunikatën e SPB Tetovë.
Ndërkohë, drejtuesit e trotinetëve elektrikë në Tetovë aktualisht mund të lëvizin vetëm nëpër trotuare, pasi qyteti ende nuk disponon shtigje të posaçme për biçikleta. Megjithatë, kryetari Kasami ka bërë të ditur se, sipas planifikimeve të komunës, një korsi e veçantë nga Sheshi “Iliria” deri te Universiteti i Evropës Juglindore pritet të dedikohet për transportin publik, biçikletat dhe trotinetët elektrikë.
Mbetet të shihet se kur do të realizohet ky projekt dhe çfarë zgjidhjeje konkrete do të ofrojë komuna për qytetarët dhe sigurinë në komunikacion. (Visar Sadiku, TVM2)
