Maqedoni

Përfundon viti shkollor, nxënësit nisin pushimin veror

10.06.2026 13:50

Ndarja nga mësuesit dhe shokët e klasës solli lot e mallëngjim, por njëkohësisht edhe gëzim...

Disa me lule në dorë, të tjerë të emocionuar e të mërzitur, ndërsa disa nxënës të zhytur në lojërat dhe planet e zakonshme të pushimeve verore. Kështu u përcoll dita e fundit e vitit shkollor 2025/2026. Për shumicën e nxënësve, ky ishte një moment i mbushur me emocione. Ndarja nga mësuesit dhe shokët e klasës solli lot e mallëngjim, por njëkohësisht edhe gëzim për përfundimin me sukses të një etape të rëndësishme të arsimit. Disa prej tyre tashmë kanë nisur të mendojnë për hapat e ardhshëm, duke synuar regjistrimin në shkollat e mesme sipas dëshirave dhe rezultateve të arritura. Ata thonë se ky vit do t’u mbetet gjatë në kujtesë, jo vetëm për njohuritë e fituara, por edhe për kujtimet dhe miqësitë e krijuara gjatë rrugëtimit shkollor.
 
“Sot e përfunduam vitin shkollor të klasës së pestë dhe sot e kemi ditën e fundit me mësuesen tonë. Kemi ardhur me trëndafila për të bërë fotografi dhe video-xhirime.”, - tha një nxënës.
 
“Jemi ndarë prej mësueses sonë dhe jemi shumë të mërzitur. Kemi shumë emocione.”, - tha një nxënës tjetër.
 
“Kam dëshirë të vazhdoj tani në një shkollë më të mirë. Unë e kam përfunduar shkollimin fillor me mesatare 5.00 dhe tani planifikoj të regjistrohem në shkollën e mesme “Cvetan Dimov”, në drejtimin e tregtisë.”, - u shpreh një nxënës.
 
Ky është fundi i angazhimeve për nxënësit, por jo edhe për mësimdhënësit, pasi ata tani duhet t’i përmbyllin obligimet administrative dhe evidentimin e notave përfundimtare të nxënësve. Mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme, për TVM2, e vlerësuan këtë vit shkollor si të suksesshëm, duke theksuar disa pengesa teknike që kanë pasur dhe që i kanë tejkaluar gjatë vitit shkollor me ditarin elektronik.
 
“Si çdo vit, mund të themi se kishte shumë të arritura, shumë momente që na gëzuan, por edhe sfida që i barti me vete. Gjithmonë kemi një lëkundje të këtillë. Me mësimdhënësit dhe nxënësit tanë bëmë projekte jashtëmësimore të shumta dhe të mëdha, të cilat ishin vërtet një kënaqësi për të gjithë ne, kurse sfidat mbeten, ta themi në thonjëza, reformat për të cilat në vazhdimësi flasim, por jo mjaftueshëm i shijojmë, sidomos në aspektin e ligjeve, ndryshimeve ligjore, por edhe ndryshimit të administratës. Në fakt, me e-ditarin këtë vit kishim një formë më ndryshe.”, - deklaroi profesori i Gjimnazit “Zef Lush Marku”, Naser Miftari.
 
“Ne, si mësimdhënës me përvojë të gjerë, jemi mësuar të ballafaqohemi me sfida të ndryshme, por ia dalim për hir të nxënësve, sepse e kemi profesionin hyjnor që edukojmë breza të rinj dhe gabimet tek ne nuk mund të ndodhin. Kishim sfida të ndryshme, një ndër to ishte ditari elektronik, ku patëm disa ndryshime në të, por edhe ato u tejkaluan me seminare të ndryshme nga ana e Ministrisë.”, - theksoi mësimdhënësja e ShF “Hasan Prishtina”, Zejxhan Miftari.
 
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ua uroi nxënësve dhe mësimdhënësve përfundimin e vitit shkollor, duke vlerësuar se ai ka qenë më i suksesshëm se viti i kaluar. Njëherësh ajo njoftoi se nga ky vit fillon zbatimi i pjesshëm i dëftesave digjitale, ndërsa vitin e ardhshëm procesi do të zgjerohet edhe në klasat më të larta.
 
“Sipas informacioneve tona, ky vit shkollor ka qenë më i suksesshëm, më i mirë se ai i vitit të kaluar. Po, digjitalizimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë dhe ne po e zbatojmë atë maksimalisht në Ministri dhe në të gjitha institucionet brenda mundësive më të mëdha. Dëftesat digjitale po i vendosim në përdorim që nga ky vit, në mënyrë të kombinuar, për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën, ndërsa vitin e ardhshëm edhe për nxënësit nga klasa e katërt deri në të gjashtën. Arsyeja pse këtë vit po zbatohet në mënyrë të kombinuar është se kemi trajnuar rreth 20 mijë mësimdhënës për mënyrën se si të përballen me procesin e digjitalizimit. Megjithatë, ju e dini se, për shumë arsye, jo të gjithë mësimdhënësit janë të gatshëm që në të njëjtën kohë t’i përmbushin obligimet që ne ua ngarkojmë.”, - u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Për më shumë se 14.500 maturantë, mësimi ka përfunduar më 15 maj. Nesër kandidatët e regjistruar për maturën shtetërore do t’i nënshtrohen provimit të detyrueshëm ekstern nga gjuha amtare (maqedonisht, shqip, turqisht ose serbisht), ndërsa kandidatët për maturën shtetërore profesionale dhe atë artistike do ta japin provimin më 12 qershor. Pjesën e parë të provimit zgjedhor ekstern maturantët e zhvilluan më 6 qershor. Nga gjithsej 14.587 nxënës të regjistruar për maturë, 12.184 janë paraqitur për maturën shtetërore, 2.276 për maturën shtetërore profesionale dhe 127 për maturën shtetërore artistike.
 
Ndërkohë, nxënësit që përfundojnë arsimin fillor këtë muaj duhet të regjistrohen në vitin e parë të shkollës së mesme. Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit Uslugi.gov.mk, duke përdorur llogaritë personale të nxënësve në schools.mk, ndërsa më pas dokumentacioni i nevojshëm do të dorëzohet në shkollat ku ata konkurrojnë.
 
REXHEP QAMILI