Provimi i Jurisprudencës, VLEN dhe BDI sërish me akuza dhe kundërakuza
Koalicioni VLEN dhe deputetja e BDI-së, Rina Ajdari...

Koalicioni VLEN dhe deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, janë përplasur për Provimin e Jurisprudencës, duke aluduar se deputetja e BDI-së, përmes një deklarate ka demaskuar BDI-në lidhur me zyrtarizimin e gjuhës shqipe.
Sipas VLEN-it, deputetja Ajdari qartë ka deklaruar se BDI nuk ka pasur prioritet as gjuhën shqipe dhe as Provimin e Jurisprudencës, derisa BDI ishte në pushtet.
“Shefja e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Ajdari, e tha me gojën e vetë atë që po e thotë VLEN-i me muaj: BDI-ja sa ishte në pushtet, nuk e kishte prioritet as gjuhën shqipe dhe as Provimin e Jurisprudencës. Deputetët e Ali Ahmetit me dorën dhe votën e tyre e vulosën që ky provim të jepet vetëm në gjuhën maqedonase. Prandaj, sot secili qytetar e ka të qartë hipokrizinë e BDI-së, kur pa fije turpi del në protesta për jurisprudencën. Është tallje me shqiptarët dhe fyerje e inteligjencës së studentëve fakti që BDI-ja proteston kundër vetvetes. VLEN-i po mundëson që për herë të parë në historinë e shtetit Provimi i Jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.”, - thuhet në komunikatën VLEN.
Por, nga ana tjetër vet deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, në një deklaratë për TVM2, ka theksuar se përgjegjësia politike nuk matet me aftësinë për të gjetur fajtor, por me aftësinë për të dhënë rezultate, dhe se VLEN-i në vend që të ndërtohen narrativa për të kaluarën, do të ishte më e dobishme, që ata që sot janë në pushtet, të tregojnë se çfarë kanë bërë, dhe kur saktësisht do ta zgjidhin këtë çështje.
“Po shoh se një pjesë e mediave dhe e skenës politike po përpiqen ta paraqesin deklaratën time sikur unë kam pranuar se BDI-ja paska qenë pengesë për mundësinë e Provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, dhe kjo nuk është aspak e vërtet. Ajo që thashë është një fakt shumë i thjeshtë, realisht pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve është dashur të pasojnë procese dhe veprime institucionale për zbatimin e tij në fusha të ndryshme. Le të mos harrojmë diçka shumë themelore, sot po flasim për një të drejtë që mbështetet në bazën juridike të krijuar pikërisht në periudhën kur u avancua përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, prandaj është absurd të pretendohet se ata që e kanë zgjeruar hapësirën ligjore për përdorimin e shqipes, paska qenë pengesa kryesore për zbatimin e saj. Por, edhe më e rëndësishme është diçka tjetër. Sot qytetarët nuk kanë nevojë për interpretime politike të deklaratave të mia. Ata duan të dinë se pse një e drejtë për të cilën të gjithë pajtohen ende nuk realizohet plotësisht.”, - theksoi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari.
Sipas Ajdarit, të nxjerrësh nga kjo përfundimin se BDI-ja paska qenë kundër të drejtave të shqiptarëve, është jo vetëm keqinterpretim, por edhe tentativë e qëllimshme për të shtrembëruar gjithë debatin, i cili po zhvillohet në skenën politike për momentin. (Fitim Kryeziu, TVM2)
