Thirrje publike kompanive prodhuese, mbështetje shtetërore për investimet mbi 100 mijë euro

11.06.2026 18:20

Kompanitë që realizojnë investime prej së paku 100.000 eurosh...

Kompanitë që realizojnë investime prej së paku 100.000 eurosh në kapacitete të reja prodhuese, pajisje dhe teknologji moderne, që hapin vende të reja pune dhe investojnë në kërkim e zhvillim, do të përfitojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga shteti. Këtë e theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, i cili u bëri thirrje kompanive që kanë realizuar investime dhe i plotësojnë kushtet ligjore të shfrytëzojnë mundësinë për mbështetje shtetërore dhe të aplikojnë brenda afatit të paraparë.

“Nga këtu u bëj thirrje të gjithë kompanive të cilat merren me prodhimtari që të aplikojnë tek Ministria e Ekonomisë dhe Punës, sepse afati është deri më 15 qershor që të mund të marrin përkrahje financiare nga ligji për përkrahje financiare të investitorëve. Kjo ka të bëjë me të gjitha kapacitetet prodhuese të cilët mund të aplikojnë për rritjen e numrit të punëtorëve, për hulumtim dhe zhvillim, për teknologji të re e kështu me radhë. Rregulli apo kushti i parë është që të gjitha këto kompani dhe kompanitë në vendin tonë të kenë minimumin 100 mijë euro investim e lartë, të jenë më konkurrues në tregun e punës, në tregun e brendshëm vendor, po ashtu edhe në tregun e jashtëm.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.

Një prej afaristëve theksoi se kjo lloj ndihme u jep krah që më lehtë t’i përballojnë lidhjet në tregjet e reja.

“Konkretisht ne shfrytëzojmë këtë ndihmë për hulumtime dhe zhvillim, më saktësisht për qasjen tonë në tregjet e reja. Ne jemi momentalisht jemi aktiv në 35 tregje të huaja, dhe kjo e ndihmës, ne na jep një dorë, një krah, që më lehtë t’i përballojmë hyrjet në tregjet e reja, sidomos në tregjet e mëdha, të cilat janë vështirë të përballueshme.”, - theksoi afaristi, Norik Selimi.

Masat parashikojnë mbështetje për punësime të reja në vlerë deri në 20 për qind të pagës neto të paguar, përkatësisht deri në 4.400 euro në vit për çdo të punësuar, mbështetje për investime kapitale deri në 10 për qind të shpenzimeve të pranueshme të investimit, por jo më shumë se një milion euro në vit, si dhe mbështetje për kërkim dhe zhvillim deri në 50 për qind të shpenzimeve të pranueshme, me një shumë maksimale deri në një milion euro.

Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave, kujtoi ai, është 15 qershori. (Armend Murseli, TVM2)