BDI: Stoilkoviqi favorizoi serbët për projekte
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për mënyrën se si Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive ka ndarë 36 projekte në vlerë totale prej rreth 18 milionë denarësh (afërsisht 300 mijë euro), të destinuara për promovimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe vetëm një është ndarë për shqiptarët.
Nga BDI thonë se: “Nga 36 projektet e financuara, vetëm një shoqatë shqiptare ka përfituar mbështetje, ndërsa organizatat maqedonase, serbe dhe të komuniteteve të tjera dominojnë listën e përfituesve. Veçanërisht shqetësues është fakti se pesë projekte janë ndarë për iniciativa të lidhura me komunitetin serb, përfshirë edhe projektin për shënimin e “110-vjetorit të Kajmakçalanit”, ndërsa organizata “Bashkësia e Serbëve të Maqedonisë” nga Kumanova ka përfituar tre projekte, kurse shoqata “KUD Srpski Vez” gjithashtu nga Kumanova ka përfituar dy projekte. Kjo është në kundërshtim të plotë me kriteret e shpallura nga vetë Ministria, të cilat parashohin promovimin e karakterit multietnik të shoqërisë, zvogëlimin e distancës etnike, luftimin e diskriminimit, zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, respektimin e përdorimit të gjuhëve të komuniteteve dhe mbrojtjen e identitetit kulturor të të gjitha bashkësive” - theksojnë nga BDI.
