Maqedoni

Shkurtohet distanca Shkup-Prishtinë, 200 mln euro për autostradën Shkup-Bllacë

13.06.2026 15:51

Autostrada Shkup-Bllacë, me gjatësi 10.5 kilometra do të fillojë të ndërtohet këtë verë...

Autostrada Shkup-Bllacë, me gjatësi 10.5 kilometra do të fillojë të ndërtohet këtë verë, kështu ka bërë të ditur zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski. Sipas këtij të fundit këtë pjesë të autostradës do ta ndërton një konsorcium i udhëhequr nga kompania vendase e ndërtimit "Granit", ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda tre viteve e gjysëm. Sipas projektit në fjalë kjo autostradë do të ketë pesë tunele, dy galeri, 12 ura dhe rreth 40 objekte, së bashku me ato më të vogla. Sipas Nikoloskit, zgjedhja e "Granit" si kontraktor është një sinjal për të gjithë sektorin e ndërtimit në vend se mund të ndërtojmë projekte të mëdha infrastrukturore.
 
“Po fillojmë ndërtimin e një autostrade të re. Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të fillojë këtë verë. Në takimin e sotëm me drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, u informuam se procedura për zgjedhjen e një kontraktori për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë ka përfunduar. Është zgjedhur një konsorcium i udhëhequr nga kompania Granit. Pas një periudhe të gjatë kohore, një kompani vendase maqedonase do të ndërtojë një projekt të madh infrastrukturor.”, u shpreh zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski.
 
Autostrada Shkup-Bllacë, planifikohet të përfundojë Brenda 3.5 vite. Sipas ministrit Nikollovski ky është një projekt jashtëzakonisht kompleks. Një ndërmarrje e madhe inxhinierie dhe ndërtimi.
 
“Planifikojmë që kontraktori ta përfundojë këtë projekt brenda 3.5 viteve dhe më së voni në 3.5 vjet të kemi një lidhje autostradale nga Shkupi në Bllacë, domethënë nga Maqedonia në Kosovë dhe Mal të Zi. Ky Korridor është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse lidh Maqedoninë me Kosovën dhe Malin e Zi, shumë pasagjerë kalojnë nëpër të çdo ditë, dhe me lidhjen si me Kosovën ashtu edhe me Malin e Zi, hapet një port tjetër për biznesin maqedonas siç është porti i Tivarit.”, tha Nikoloski.
 
Zv/Ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri thotë se realizimi i projektin Shkup – Bllacë është përmbushje e premtimit parazgjedhor ndërsa ndërtimi i kësaj autostrade do të shkurtojë distancën Shkup-Prishtinë.
 
“Një lajm i madh për të gjithë qytetarët në të dyja anët e kufirit. Po nënshkruhet leja për fillimin e punimeve në rrugën Shkup – Bllacë. Rruga që lidhë RMV dhe Kosovën mbetet autostradë ashtu siç u premtua. Pas shumë vitesh pritje, për vetëm gjysmën e mandatit po e nisim këtë projekt që do të bënë lëvizjen më të shpejtë, më të sigurtë, dhe do ti ofrojë edhe më shumë njerëzit, familjet dhe bizneset në mes dy vendeve Shkupi dhe Prishtina një hapë më afër.”, u shpreh zëvendës ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
 
Kryetarët e VLEN-it uruan qytetarët për fillimin e punimeve në autostradën Shkup–Bllacë.
 
“200 milionë euro për rrugën Shkup–Bllacë–Prishtinë. Ky është dallimi mes fjalëve dhe veprave. Mes premtimeve t’thata dhe projekteve që ndryshojnë jetën e qytetarëve. Kjo është qeverisja jonë.”, shkruan Mexhiti në profilin e tij në Facebook. Ndërkaq, Kasami ka shkruar: “Shkupi me Prishtinën sot janë më afër se kurrë. Koha e demagogjisë shterpe ka mbaruar. Shqiptarët po jetojnë epokën e punës, projekteve dhe zhvillimit.”
 
Kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Sipas partisë opozitare kjo Qeveri ka vonuar dy vjet. 
 
“Qeveria e ka bllokuar dhe vonuar për plotë dy vite nisjen e ndërtimit të 10.8 kilometrave të mbetura nga ky projekt. Qeveria jonë e kreu edhe 2 kilometërshin e parë të autostradës Shkup - Bllacë, por Qeveria nuk e lëshon në përdorim dy vjet radhazi.”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
 
Autostrada Shkup-Bllacë ka një gjatësi totale prej 12.5 kilometrash.
 
FITIM KRYEZIU