Maqedoni

Kryeministri Mickoski zhvilloi takim me presidentin e Turqisë, Erdogan

13.06.2026 19:11

Mickoski sot zhvilloi një takim bilateral me presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan...

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot zhvilloi një takim bilateral me presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në të cilin u konfirmua bashkëpunimi tradicionalisht i afërt, miqësor dhe strategjik ndërmjet dy shteteve.
 
Në takim u shpreh kënaqësia e përbashkët për marrëdhëniet e shkëlqyera politike, të cilat bazohen në respekt të ndërsjellë, besim dhe miqësi të sinqertë ndërmjet dy popujve. Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimit tregtar, investimeve të reja, si dhe për avancimin e bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, arsimit dhe mbrojtjes.
 
Kryeministri Mickoski theksoi rëndësinë e Turqisë si një partner i rëndësishëm ekonomik dhe politik, duke nënvizuar se Qeveria mbetet e përkushtuar në krijimin e një klime të favorshme dhe të parashikueshme biznesi për investime të reja turke dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
 
Presidenti Erdogan konfirmoi mbështetjen e Turqisë për zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit tonë, si dhe gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
 
Në kuadër të bisedimeve u shkëmbyen mendime edhe për sfidat aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, me ç’rast u theksua nevoja për stabilitet, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik të rajonit.
 
Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve mike do të vazhdojnë të zhvillohen me një dinamikë edhe më të fuqishme në periudhën që vjen, thuhet në kumtesën e shërbimit qeveritar për shtyp.