Maqedoni

Rikonstruimi i Qeverisë, Mickoski: Fokusi te përmbajtja, jo te madhësia

15.06.2026 15:23

Mickoski paralajmëroi se pas 17 qershorit do të nisin bisedimet me partnerët e koalicionit lidhur me rikonstruimin e Qeverisë...

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se pas 17 qershorit do të nisin bisedimet me partnerët e koalicionit lidhur me rikonstruimin e Qeverisë. Deri atëherë, fokusi i VMRO-DPMNE-së mbetet shënimi i 36-vjetorit të themelimit të partisë, ngjarje që do të mbahet në Strumicë. Kryeministri ka bërë të ditur se detajet për përmbajtjen dhe shtrirjen e ndryshimeve do të diskutohen vetëm pas fillimit të konsultimeve me partnerët qeverisës. Ai theksoi se fokusi do të jetë te përmbajtja e ndryshimeve dhe jo te madhësia e rikonstruimit. 
 
“Unë nuk dua të futem në aspektin e madhësisë, por më tepër do të isha ndalur tek përmbajtja e rikonstruimit të Qeverisë. Unë personalisht, por edhe partinë të cilën e udhëheq, në këtë kohë jam i fokusuar në shënimin dhe manifestimin e ditës së themelimit të partisë sonë “36 vite VMRO-DPMNE”, e cila do të festohet me datë 17 qershor nga ora 20:00 në Strumicë. Pas kësaj date, do të ulemi me partnerët e koalicionit që të bisedojmë për rikonstrumin e Qeverisë. Prandaj edhe gjatë bisedimeve, unë nuk do të fokusohem tek çështja e numrit të ministrive, por të ndalemi të shohim përmbajtjen e saj. Prandaj kërkoj në këtë kohë nga opinioni të jetë më i durueshëm, sepse vetëm ditë janë në pyetje.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Megjithëse rikonstruimi i Qeverisë është kthyer në aktualitet, deri më tani nuk ka vendime konkrete apo marrëveshje të finalizuara. TVM2 kërkoj shpjegim edhe faktori politik shqiptarë në Qeveri, se a do t’i ruajnë pozicionet e tyre në këtë rikonstruim, dhe cilët ministra priten të preken, por përgjigje për këtë çështje nuk morëm as nga to. VLEN-i shkurtimisht ka njoftuar se është përkushtuar ndaj realizimit të programit qeverisës. Nga VLEN shprehen të gatshëm për bisedime, por theksojnë se dinamika e procesit do të varet nga thirrja dhe koordinimi i kryeministrit.
 
“VLEN-i mbetet e përkushtuar ndaj realizimit të programit qeverisës dhe interesave të qytetarëve. Të gjitha çështjet që lidhen me rikonstruimin e Qeverisë diskutohen me partnerët e koalicionit në frymë bashkëpunimi dhe përgjegjësie. Çdo vendim nga këto bisedime do të komunikohet në kohë.”, thonë nga VLEN. 
 
Në opinion lakohen emrat e shumë ministrave aktualë, të cilët si duket nuk kanë plotësuar pritshmëritë e kryeministrit dhe të partisë që e ka nominuar, por deri në këto momente të njëjtat ngelin vetëm në fushën e spekulimeve.  
 
FITIM KRYEZIU