Maqedoni

Dhuna mes të rinjve, institucionet nënshkruajnë deklaratë për parandalim

16.06.2026 15:05

Parandalimi i dhunës te të rinjtë kërkon reagim të shpejtë...

Parandalimi i dhunës te të rinjtë kërkon reagim të shpejtë, koordinim të fortë dhe pjesëmarrje aktive të të rinjve, ndërkaq me sigurinë e tyre duhet të merren të gjitha institucionet relevante. Kjo u tha nga udhëheqësit e resorëve me rastin e nënshkrimit të deklaratës për parandalimin e dhunës te të rinjtë, e cila obligon institucionet gjegjëse që ta zbatojnë dhe t’i mbrojnë të rinjtë nga çdo moment jonjerëzor dhe i pahijshëm. Në vendin tonë, çdo i ri ka të drejtën e sigurisë dhe për këtë Ministria e Punës Sociale dhe Demografisë do të angazhohet përmes promovimit të programeve të ndryshme, tha udhëheqësi i resorit, Fatmir Limani.
 
“Qëllimi ynë është që të veprojmë në mënyrë preventive përmes përforcimit të besimit në institucione, promovimit të komunikimit jo të dhunshëm, sigurisë digjitale, mbrojtjen e shëndetit mendor dhe krijimin e hapësirës ku çdo i ri do të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i dëgjuar nga të gjithë. Sot bëmë hap të rëndësishëm dhe shprehim angazhime të forta për krijimin e shoqërisë në të cilin të rinjtë do të rriten pa frikë, pa dhunë dhe me mundësi të barabarta.”, - deklaroi ministri i Punës Sociale dhe Demografisë, Fatmir Limani.
 
Qëllimet e këtij projekti angazhojnë edhe Ministrinë e Arsimit dhe atë të Punëve të Brendshme.
 
“Detyra jonë është që definitvisht, së bashku, më shumë resorë, ta ndjekim në minimum. Pos kësajparalajmëroj që gjatë javës gjithashtu do të kemi ngjarje ku do të promovojmë projekt të madh, ku me forca të përbashkëta do ta zbatojmë në terren mes të rinjve, shkollave dhe prindërve.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
“Policia është e pranishme në terren. Tashmë një periudhë të gjatë është e fokusuar  që sa më shumë që mundet të jetë e pranishme mes nxënësve në kuadër të shkollave në qytetin e Shkupit, në tërë Maqedoninë. Po ashtu jemi në komunikim me kompetentët me institucionet konkrete arsimore. Kjo sfidë me të vërtetë kërkon një përgjegjësi të përbashkët nga ana e të gjitha institucioneve.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
 
Një thirrje për vetëdijesim vjen edhe nga misioni i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.
 
“Kjo ofron platformë, ku institucionet, organizatat rinore dhe njerëzit e rinj, mund të punojnë së bashku, nga një mirëkuptim  i përbashkët i sfidave ashtu edhe i zgjidhjeve, në baza të barabarta. Për misionin e OSBE-së në Shkup, kjo punë është e lidhur  ngushtë me angazhimin tonë afatgjatë në promovimin e sigurisë, kohezionit shoqëror, përfshirjes dhe pjesëmarrjes së të rinjve. Ne besojmë fuqishëm se të rinjtë nuk duhet të shihen vetëm si përfitues të politikave, por edhe si partner në hartimin e tyre. Masat parandaluese të zhvilluara së bashku me të rinjtë, kanë më shumë gjasa të jenë relevante, të besueshme dhe efektive.”, - u shpreh shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Uahl.
 
Me këtë rast, institucionet dhe organizatat partnere konfirmuan përkushtimin e tyre për krijimin e një mjedisi më të sigurt, më gjithëpërfshirës dhe më mbështetës për të rinjtë, të liruar nga dhuna dhe frika.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU