Maqedoni
Kompania turke investon në Tetovë, priten rreth 500 vende të reja pune
16.06.2026 15:19
Kompania turke “Xhavo Automotiv” do të investojë në Zonën e Zhvillimit Teknologjik Industrial në Tetovë...

Kompania turke “Xhavo Automotiv”, e specializuar për prodhimin e pjesëve të këmbimit për automjete, do të investojë në Zonën e Zhvillimit Teknologjik Industrial në Tetovë, ku nga fundi i shtatorit do të hapë një fabrikë të re dhe do të punësojë rreth 500 persona. Bëhet fjalë për një investim “brownfield” që në fazën e parë do të nisë me marrjen me qira të një objekti ekzistues prej 8.000 metrash katrorë, ndërsa deri në vitin 2028 kapacitetet e prodhimit do të zgjerohen në 21.000 metra katrorë.
“Ne nuk po ndërtojmë një ekonomi të bazuar në borxhe dhe truke statistikore, po ndërtojmë një ekonomi që mbështetet tek prodhimi, investimet, eksporti dhe rritja reale ekonomike. Prandaj, investimi i sotëm i “Xhavo Automotiv” është një tjetër tregues se po lëvizim në drejtimin e duhur.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, nënvizoi se Ministria mbetet e përkushtuar në tërheqjen e investimeve të reja, përmirësimin e klimës afariste dhe krijimin e kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike.
“Investim i cili paraqet edhe një tjetër konfirmim se vendi ynë bëhet një destinacion gjithnjë e më tërheqës për kompanitë që sjellin teknologji bashkëkohore, kapacitete të reja prodhuese dhe vende cilësore pune. Është veçanërisht e rëndësishme që ky investim realizohet në Tetovë, në zonën industriale të Tetovës, zona e vetme e lirë teknologjike industriale në vend që është nën menaxhim të partneritetit publiko-privat.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Sipas planit të biznesit, kur fabrika të arrijë kapacitetin e plotë, numri i të punësuarve pritet të shkojë deri në 500 persona. Nga Drejtoria e ZTIZh-së thonë se ky projekt është projektuar për të gjeneruar efekte afatgjata në tregun lokal.
“Kjo tregon qartë se kompania ka plane ambicioze për rritje dhe zhvillim në Maqedoni. Bëhet fjalë për një projekt investues të planifikuar me kujdes dhe me një perspektivë afatgjate, i cili do të realizohet në faza dhe do të krijojë efekte gjithnjë e më të mëdha ekonomike në vitet në vijim.”, - theksoi drejtori i ZTIZh-së, Goce Dimovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pas forumit të biznesit në Stamboll, i cili u mbajt javën e kaluar, pret që disa dhjetëra investime potenciale turke të operacionalizohen në Maqedoninë e Veriut.
ERSAN PAJAZITI
