Maqedoni

Azizi: Sistemi “One Stop Shop” edhe me Shqipërinë

16.06.2026 17:17

Qeveria e RMV-së ka miratuar vënien në funksion të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” me Shqipërinë...

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vënien në funksion të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” me Shqipërinë. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, sipas të cilës për finalizimin e plotë të marrëveshjes mbetet edhe nënshkrimi ndërmjet ministrive të brendshme të dy vendeve.

“Sot, Qeveria miratoi vënien në funksion të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” me Republikën e Shqipërisë.  Me këtë përmbyllet procesi i vendosjes së këtij sistemi me tri shtetet fqinje të Republikës së Maqedonisë së Veriut që nuk janë pjesë e zonës Shengen, duke pasur parasysh se ai tashmë funksionon me Serbinë dhe Kosovën. Për finalizimin e plotë të procesit mbetet të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet dy ministrive të punëve të brendshme. Zbatimi i sistemit fillimisht do të nisë në pikën kufitare Qafë Thanë, ndërsa më pas do të zgjerohet edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë. Kjo do të mundësojë kalim më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të sigurt të kufirit shtetëror, veçanërisht gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm frekuenca e udhëtarëve dhe kur në të kaluarën qytetarët shpesh kanë ngritur shqetësime për pritjet e gjata në pikat kufitare. Nevoja për një zgjidhje të tillë konfirmohet më së miri nga frekuenca e lartë e udhëtarëve në pikat kufitare me Republikën e Shqipërisë.  Gjatë vitit 2025, në këto pika kufitare janë regjistruar gjithsej 4.581.724 udhëtarë, prej të cilëve 2.318.080 vetëm në pikën kufitare Qafë Thanë.  Këto shifra e theksojnë rëndësinë e vendosjes së sistemit “One Stop Shop”, i cili do të mundësojë qarkullim më të shpejtë dhe më efikas të udhëtarëve, si dhe do të kontribuojë në uljen e kohës së pritjes në kufi.”, u shpreh zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.