VLEN mban Kuvendin themelues në Tetovë, theksohet uniteti dhe konsolidimi i partisë
Në Pallatin e Kulturës në Tetovë sot u mbajt Kuvendi themelues i VLEN-it..

Në Pallatin e Kulturës në Tetovë sot u mbajt Kuvendi themelues i partisë politike VLEN, ku morën pjesë delegatë, aktivistë, funksionarë dhe mbështetës të subjektit.
Sipas partisë, ky kuvend paraqet vazhdimësi të Kongresit të Bashkimit dhe shënon një etapë të rëndësishme në procesin e konsolidimit të VLEN-it si subjekt i unifikuar politik.
Gjatë punimeve të kuvendit, drejtuesit e partisë theksuan rëndësinë e organizimit të brendshëm, forcimit të strukturave dhe vazhdimit të angazhimit politik në nivel qendror dhe lokal.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, tha se Kuvendi themelues përbën një hap të rëndësishëm në procesin e bashkimit dhe konsolidimit të subjektit politik.
“Sot po ndërmarrim një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin historik për bashkimin dhe konsolidimin e VLEN-it”, deklaroi Kasami.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari Izet Mexhiti vlerësoi se Kuvendi themelues përfaqëson një etapë të rëndësishme drejt fuqizimit politik dhe organizativ të partisë.
“Ky Kuvend themelues paraqet hapin e radhës drejt konsolidimit dhe fuqizimit të VLEN-it si subjekt politik i shqiptarëve”, tha Mexhiti.
Ndërkohë, nënkryetarja e partisë, Mimoza Musa, theksoi se VLEN ka zgjedhur rrugën e bashkimit dhe të interesit qytetar.
“Në një kohë kur shumëkush investon në ndarje, ne zgjodhëm bashkimin. Në një kohë kur politika shpesh matet me interesa të ngushta, ne zgjodhëm interesin qytetar”, u shpreh Musa.
Sipas njoftimit të partisë, Kuvendi themelues konfirmoi hyrjen e VLEN-it në një fazë të re të funksionimit politik, me organizim më të fuqishëm dhe me synimin për të vazhduar aktivitetin në të gjitha nivelet, në shërbim të qytetarëve.
