Maqedoni
Raporti i Parlamentit Evropian, BDI: VLEN-i hesht për ndikimet e “Botës Serbe”
18.06.2026 15:24
Partitë opozitare kanë vlerësuar se Rezoluta e PE-së për RMV-në ka ngritur shqetësime për ndikime nga jashtë....

Partitë opozitare kanë vlerësuar se Rezoluta e Parlamentit Evropian për Maqedoninë ka ngritur shqetësime për ndikime nga jashtë. Sipas BDI-së, bëhet fjalë për ndikim nga e ashtuquajtura “Bota Serbe”.
“VLEN-i nuk e pa problem sjelljen në Qeveri të eksponentëve që promovojnë narrativat e “Botës Serbe”. Nuk e pa problem depërtimin e ndikimeve politike dhe ekonomike që burojnë nga ky koncept. Nuk e pa problem sulmin ndaj Balancuesit. Nuk e pa problem relativizimin e mekanizmit të Badinterit. Nuk e pa problem përpjekjet për dobësimin e pozitës së gjuhës shqipe. Nuk e pa problem as vendimin që sot po kthen në Tetovë emra dhe simbole të një periudhe që shqiptarët e kanë tejkaluar historikisht. Parlamenti Evropian e sheh. Shqiptarët e shohin. Opinioni publik e sheh. Vetëm VLEN-i nuk e sheh. Dhe arsyeja është e qartë. Ata janë verbuar nga dy gjëra: nga jugonostalgjia e tyre dhe nga obsesioni i tyre me BDI-në.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Filipçe: Raporti konfirmon narrativa antievropiane në vend
Edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se Qeveria po krijon mosbesim ndaj BE-së, po zbaton dobët reformat dhe nuk ka vullnet politik për integrim evropian.
“Raporti i Parlamentit Evropian konfirmon atë që ne e kemi theksuar prej muajsh. Në dokument shprehet shqetësim për marrjen e televizioneve dhe portaleve kryesore nga struktura mediatike hungareze, me ç’rast mundësohet që narrativat antievropiane të bëhen pjesë e debatit publik. Rruga evropiane po paraqitet si kërcënim për identitetin kombëtar, gjë që nuk është e vërtetë. BE-ja bazohet në respektimin e gjuhës, identitetit dhe dallimeve të popujve. Në vend të reformave reale, po përdoret retorikë që krijon frikë te qytetarët.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
VMRO: Filipçe kundër interesave shtetërore, po shkon drejt zhdukjes
Nga VMRO-DPMNE thanë se Filipçe është kundër interesave shtetërore dhe se do të angazhohen për anëtarësim në BE me dinjitet dhe me identitet të mbrojtur.
“Venko Filipçe edhe njëherë, si shumë herë deri tani, ka konfirmuar se ai është deputeti më i zëshëm bullgar në Maqedoni për pranimin dhe zbatimin e diktateve dhe ultimatumet e tyre, në dëm të identitetit, gjuhës, kulturës dhe historisë maqedonase. Ajo që na mbetet ta porosisim Venko Filipçen është të mbetet aty ku është, në opozitë të thellë në margjinat e skenës politike maqedonase, gjë që me siguri do ta çojë LDSM-në edhe drejt zhdukjes së plotë.”, - thanë nga VMRO-DPMNE.
VLEN: Integrimi në BE mbetet prioritet, vazhdojmë reformat
Ndërkohë, nga VLEN-i thanë se integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një orientim strategjik.
“Për VLEN-in, integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një orientim strategjik dhe civilizues që garanton sundim të ligjit, institucione funksionale, zhvillim ekonomik, standard më të lartë jetese dhe perspektivë më të mirë për qytetarët. Ne besojmë se rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes reformave të vërteta, luftës kundër korrupsionit, forcimit të shtetit të së drejtës, administratës efikase dhe institucioneve transparente. Pikërisht për këtë arsye, VLEN-i do të vazhdojë të kontribuojë me përgjegjësi dhe vendosmëri në përmbushjen e agjendës reformuese dhe në avancimin e procesit eurointegrues.”, - thanë nga VLEN.
Nga VLEN-i thonë se qëndrojnë fuqishëm në anën e integrimit evropian dhe do të vazhdojë të punojë për avancimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si një synim strategjik shtetëror.
ARMEND MURSELI
