Maqedoni

Rustemi: Akuzat e VLEN-it tërësisht të pavërteta

22.06.2026 15:58

Rustemi ka reaguar ndaj pretendimeve të VLEN-it...

Ish-drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, ka reaguar ndaj pretendimeve të VLEN-it duke i vlerësuar si “tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe pa asnjë mbështetje faktike apo të dokumentuar”.

“Pretendimet e paraqitura janë tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt apo dokument zyrtar. E vërteta është se gjatë periudhës sa kam ushtruar funksionin e drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore nuk është zhvilluar asnjë procedurë tenderuese për furnizim me gardhe mbrojtëse nga kjo ndërmarrje.”, thuhet në reagimin e Rustemit. 
 
Ai thekson se, për pasojë, nuk ka ekzistuar asnjë procedurë ku mund të ishte favorizuar apo diskriminuar ndonjë kompani.
 
“Për rrjedhojë, nuk ka ekzistuar asnjë tender në kuadër të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore ku mund të jetë favorizuar, përjashtuar apo diskriminuar ndonjë kompani. Kur nuk ka pasur procedurë tenderuese nën kompetencën e institucionit që kam drejtuar, nuk mund të ketë as ndikim, as presion dhe as përgjegjësi nga ana ime.”, thekson Rrustemi.
 
Ai shpreh shqetësim të veçantë për, siç thotë, përpjekjet për të krijuar perceptimin se veprimet e tij kanë rrezikuar sigurinë e qytetarëve. Rustemi po ashtu akuzon VLEN-in për përdorim politik të akuzave dhe përhapje të dezinformatave me qëllim diskreditimin e tij. 
 
“Shpreh keqardhje që për interesa të ngushta politike po hidhen në opinion akuza të rënda pa asnjë bazë faktike, duke tentuar të njolloset emri dhe integriteti im përmes insinuatave dhe dezinformatave. Edhe më shqetësues është fakti që çështje që lidhen me sigurinë e qytetarëve po përdoren për sulme politike dhe për diskreditim personal.”, thuhet në demantin e Rustemit, i cili u bën thirrje publike përfaqësuesve të VLEN-it, që të paraqesin prova për akuzat e tyre ose të kërkojnë falje publike.