Maqedoni
Emrat e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, Mickoski: Kemi biseduar për rrugët me numra
23.06.2026 13:54
Mickoski nuk preferon ta komentojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për emrat e rrugëve dhe shesheve në Tetovë...

Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski nuk preferon ta komentojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për emrat e rrugëve dhe shesheve në Tetovë. Ai njëherësh theksoi se me kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, kanë biseduar për emërtimin e rrugëve që janë me numra ose pa numra.
“Mendoj se ky është fillimi i një procesi, i cili do të duhet të rezultojë me vendim. Përndryshe me Bilall Kasamin në të kaluarën kemi biseduar për emra të rrugëve që janë me numër ose pa numër, që të marrin emra të njerëzve që janë meritor për Maqedoninë si shtet i pavarur dhe unë qëndroj pas kësaj, për shkak se do të ishte mirë që rruga të mos jetë me numër, por të jetë me emrin e ndonjë njeriu që është meritor për shtetin e pavarur demokratik të Maqedonisë. Ndërsa sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, unë nuk do ta komentoja ashtu siç kam bërë shumë herë në të kaluarën.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër, partitë shqiptare BDI dhe VLEN kanë shkëmbyer akuza rreth çështjes së emrave të rrugëve dhe shesheve në Tetovë.
Nga BDI i kanë kërkuar komunës së Tetovës që brenda tre ditësh të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, ku do të fillojë procedura për miratimin ose rimiratimin e vendimit, të cilin e ka abroguar Gjykata Kushtetuese, në të kundërtën ata thonë se do të konsiderojnë që Komuna e Tetovës është bashkëfajtore dhe bashkautore e këtij vendimi skandaloz të Gjykatës Kushtetuese.
Por, nga VLEN-i kanë akuzuar BDI-në se vendimi i Kushtetueses është i orkestruar pikërisht nga kjo parti, e cila dëshiron të shkaktojë tensione ndëretnike. Sipas VLEN-it, BDI-ja ka pasur 20 vite pushtet, por një vendim të cilin ata e kanë marrë në vitin 2007 nuk e kanë çuar deri në fund, përkatësisht nuk është miratuar nga Qeveria.
REXHEP QAMILI
