Maqedoni

Mucunski raportoi për punën dyvjeçare, diplomaci më aktive dhe partneritete më të forta

24.06.2026 13:18

Mucunski theksoi se gjatë dy viteve janë realizuar mbi 110 vizita jashtë vendit....

“Gjatë dy viteve të fundit kemi punuar me vizion të qartë, prioritete të përcaktuara dhe një qëllim, forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit, përforcimin e partneriteteve dhe sjelljen e përfitimeve konkrete për qytetarët. Andaj sot mund të themi se kemi ndërtuar një diplomaci më aktive, më të hapur dhe më efikase.”, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, me rastin e dyvjetorit të mandatit të ministrisë. Ai theksoi se gjatë dy viteve janë realizuar mbi 110 vizita jashtë vendit.
 
“Politika jonë e jashtme ka mbetur e qëndrueshme dhe e bazuar në tre shtylla strategjike. Partneriteti i fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përputhshmëria e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimi aktiv në NATO. Këto janë shtylla të stabilitetit, sigurisë dhe parashikueshmërisë për një shtet që e di ku i përket dhe ku synon të shkojë. Bashkëpunimi rajonal është gjithashtu një tjetër emër i stabilitetit. Marrëdhëniet me fqinjët i ndërtojmë mbi dialog, respekt dhe projekte konkrete. Nuk i shmangemi çështjeve të hapura, por refuzojmë të mbetemi peng i retorikës që nuk sjell rezultate për qytetarët.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski.
 
Sa i përket pjesës së integrimeve evropiane, ministri rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave dhe rrugës evropiane.
 
“Komisioni Evropian së fundmi ka vënë në dispozicion 65.7 milionë euro përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje, që përbën shumën më të lartë në rajon. Me këtë, totali i fondeve të vëna në dispozicion për vendin tonë në kuadër të Planit për Rritje arrin në 142.1 milionë euro. Kjo nuk është simbolikë, por besim konkret i shndërruar në mbështetje konkrete.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski.
 
Duke folur për partnerët strategjikë, ministri Mucunski theksoi se vendi ishte shteti i parë evropian që zhvilloi një sesion të dialogut strategjik me administratën e re të ShBA-së, duke forcuar më tej marrëdhëniet bilaterale. Ai përmendi gjithashtu marrëveshjet për bashkëpunim strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, Hungarinë dhe Kroacinë, si dhe Memorandumin e bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe. Në diplomacinë multilaterale, ai veçoi anëtarësimin në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe ECOSOC, rizgjedhjen në Këshillin Ekzekutiv të OPCW-së, si dhe mbylljen e procedurës post-monitoruese në Këshillin e Evropës.
 
REXHEP QAMILI