Maqedoni

Kosturnik, Kumanovë, protestë kundër mbylljes së shkollës

25.06.2026 16:16

Gjatë ditës së sotme, banorët e fshatit Kosturnik të Komunës së Kumanovës u ngritën në protestë...

Gjatë ditës së sotme, banorët e fshatit Kosturnik të Komunës së Kumanovës u ngritën në protestë, siç thonë ata, kundër mbylljes së shkollës së fshatit, që Ministria e Arsimit i ka paralajmëruar me arsyetimin e numrit të vogël të nxënësve.
          
Prindërit e nxënësve, por edhe banorët e fshatit nënshkruan edhe një peticion për vazhdimin e procesit mësimor në objektin e shkollës së fshatit që dikur me mjetet e tyre vetanake e ndërtuan, e jo t’i transferojnë në shkollën amë.
 
“Ne kemi dal për ta mbrojtur shkollën tonë! Me kontributin tonë e kemi ndërtuar, nuk na ka ndihmuar as Ministria Arsimit e as Komuna, veç privat! Normale se prej klasës parë deri në të pestën nuk kemi dëshirë të largohen nxënësit nga fshati, përndryshe nga klasa 6 shkojnë në Shkollën Fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë. Sa larg prej këtu? I bie diku 8 kilometra larg.”, - theksoi ish-kryetari i fshatit, Qahil Qaili.
 
“Vajza e vogël vitin e ardhshëm do ta fillojë klasën e parë, vajza e madhe do ta  fillojë klasën e katërtë dhe për mua si nënë është problem një vajzë 6-vjeçe si mund të shkojë në klasë të parë aq larg në Kumanovë. Ne si prindër, unë me bashkëshortin, jemi kundër dhe komplet fshati është i të njëjtit mendim.”, - u shpreh një nënë, Linda Azemi.
 
“Do të vazhdojmë më tutje, do të mundohemi me çdo kusht dhe çdo mënyrë që të ruajmë këtë pasuri të themi arsimore që kemi arritur me shumë mund ta ruajmë dhe besoj se do të bie në veshët e ministrisë dhe përgjegjësve që marrin këso vendimesh ta shqyrtojnë edhe njëherë a është në rregull që të mbyllet një kopsht i lulëzuar i fshatit.”, - u shpreh arsimtari në pension, Femi Xhaferi. 
 
Ndryshe, ditë më parë, gjatë një konference me gazetarë, Aleksandar Jovanoviq, nga sektori për arsim pranë Komunës së Kumanovës, theksoi se si komunë janë kundër çdo vendimi për mbyllje të shkollave fillore që gravitojnë në këtë komunë, dhe se presin nga Ministria e Arsimit që të miratojnë edhe për vitin e ri shkollor paralelet e shkollave të qytetit, por edhe të fshatrave.
 
FATLUM AQIFI