Maqedoni
Dyvjetori i formimit të Qeverisë, BDI: VLEN dështoi në premtimet për integrimin evropian
29.06.2026 14:04
BDI intensifikoi kritikat ndaj koalicionit VLEN në kuadër të fushatës "Dy vite nënçmim - VLEN asgjë"...

Me rastin e dyvjetorit të formimit të Qeverisë, BDI intensifikoi kritikat ndaj koalicionit VLEN në kuadër të fushatës "Dy vite nënçmim - VLEN asgjë". Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, tha se VLEN-i ka dështuar të përmbushë premtimet për avancimin e procesit eurointegrues dhe ka dobësuar pozitën politike të shqiptarëve. Sipas tij, në dy vitet e qeverisjes nuk është shënuar asnjë përparim drejt Bashkimit Evropian, ndërsa dështimi më i madh është, siç u shpreh, "shkatërrimi i idesë evropiane". Osmani vlerësoi se shqiptarët po përjashtohen nga proceset vendimmarrëse, ndërsa po zbehen mekanizmat e barazisë dhe përfaqësimit.
“Shteti nuk ka bërë asnjë një hap të vetëm substancial drejt BE-së. Në vend të përshpejtimit kemi stagnim, në vend të reformave kemi improvizime, në vend të agjendës evropiane kemi politikë ditore. Kryesuesi i ri i BE-së prezantoi agjendën e re dhe vendi ynë është i vetmi që nuk është prezent fare. Veçanërisht është shqetësues fakti se edhe mundësia historike që ofroi Plani i Rritjes së BE-së ka mbetur kryesisht e pashfrytëzuar në vend që shteti të ishte lider në rajon me zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e fondeve evropiane sot kemi vonesa, realizim të pamjaftueshëm dhe mungesë të mirëfilltë reformues.”, - deklaroi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.
VLEN: 24 muaj në shërbim të qytetarëve
Ndryshe e vlerëson bilancin koalicioni VLEN. Me rastin e dyvjetorit të qeverisjes, nën moton "Transparencë dhe llogaridhënie", nga VLEN-i thanë se në 24 muaj kanë arritur më shumë rezultate sesa BDI gjatë dy dekadave në pushtet. Sipas tyre, qeverisja është karakterizuar nga vendime konkrete, projekte të realizuara dhe reforma që kanë sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, duke dëshmuar se ndryshimi është i mundur.
“Gjatë këtyre 24 muajve janë realizuar reforma dhe projekte që për vite me radhë kishin mbetur vetëm premtime. Ligje me rëndësi strategjike, investime në komunat shqiptare, mbështetje për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe zhvillimin lokal, si dhe projekte infrastrukturore që po ndryshojnë situatën në terren, janë dëshmi se qeverisja e përgjegjshme jep rezultate. Një shtyllë e rëndësishme e këtij procesi ka qenë edhe avancimi i përfaqësimit dhe rolit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, si dhe fuqizimi i zërit të tyre në vendimmarrje.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga VLEN.
VMRO-DPMNE: Filipçe me qasje të butë ndaj Sofjes
Çështjet eurointegruese kanë nxitur reagime edhe te blloku maqedonas. VMRO-DPMNE thotë se udhëheqja shtetërore ka një qasje të qartë për integrimin në BE dhe se procesi duhet të fillojë dhe të përfundojë me sukses, pa bllokada të reja, por me përmbushje të standardeve evropiane. Ata akuzojnë LSDM-në dhe liderin e saj, Venko Filipçe, për qasje të butë ndaj Sofjes zyrtare dhe për mungesë të propozimeve konkrete.
"Këtu në vend kemi liderin e opozitës, Venko Filipçe, dhe bashkëpunëtorët e tij nga udhëheqja e LSDM-së, të cilët dinë vetëm t'u shërbejnë interesave të huaja, ndërsa tani konkretisht u shërbejnë interesave të Bullgarisë. Këta persona vazhdimisht përsërisin se duhet të shkojmë në Bashkimin Evropian dhe të integrohemi në Union, por duket se vetëm kaq dinë të bëjnë – të përsërisin fjalë boshe dhe të jenë në shërbim të të tjerëve. Prej tyre nuk dëgjojmë asnjë propozim apo ide konkrete, përveç përsëritjes së të njëjtave fjalë boshe.", - theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
Bilanci i dy viteve të qeverisjes vazhdon të mbetet objekt përplasjesh politike. Ndërsa pushteti vë në pah rezultatet e arritura, opozita e cilëson këtë periudhë si kohë të premtimeve të papërmbushura dhe mungesës së progresit në procesin eurointegrues.
REXHEP QAMILI
