Maqedoni
Nga nesër nis regjimi veror i qarkullimit për automjetet e rënda të mallrave
30.06.2026 13:13
Nga 1 korriku deri më 31 gusht, në rrugët shtetërore të Maqedonisë së Veriut do të zbatohet regjimi veror i qarkullimit...

Nga 1 korriku deri më 31 gusht, në rrugët shtetërore të Maqedonisë së Veriut do të zbatohet regjimi veror i qarkullimit, me të cilin ndalohet lëvizja e automjeteve të rënda të mallrave me masë totale mbi 15 tonë gjatë fundjavave dhe në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta.
Orari i ndalimit është si vijon:
E premte: nga ora 17:00 deri në 22:00
E shtunë: nga ora 09:00 deri në 18:00
E diel: nga ora 09:00 deri në 22:00
Në ditët me temperatura ekstreme, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndalimi do të vlejë edhe nga e hëna deri të enjten, në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00.
Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihmë humanitare, grurë dhe kultura drithërore, mallra që prishen lehtë, naftë dhe derivate të naftës, materiale të rrezikshme, si dhe për automjetet e kompanive që kanë kontrata për realizimin e projekteve në rrugët shtetërore me NP “Rrugët Shtetërore”.
Sipas LAMM-it, në rrugën magjistrale A2, në aksin Shkup – Ohër – Shkup (deri më 1 shtator), ndalohet qarkullimi i automjeteve të rënda me masë mbi 7.5 tonë gjatë fundjavave, sipas këtij orari:
E premte: nga ora 15:00 deri në 22:00
E shtunë: nga ora 07:00 deri në 12:00 dhe nga ora 18:00 deri në 24:00
E diel: nga ora 07:00 deri në 22:00
Ky regjim i posaçëm veror vendoset për të shmangur bllokimet në aksin rrugor drejt Ohrit, si destinacioni më i vizituar turistik në vend, për të ulur pritjet në pikat e pagesës së tarifës rrugore dhe për të mundësuar qarkullim më të shpejtë e më të lirë të automjeteve dhe turistëve.
Edhe në këtë rast, kufizimi nuk zbatohet për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihmë humanitare, grurë dhe kultura drithërore, si dhe mallra që prishen lehtë.
