Kazinotë 500 metra larg shkollave, VLEN: Kazinotë larg fëmijëve tanë
VLEN-i ka cilësuar miratimin e Ligjit të ri për lojërat e fatit...

VLEN-i ka cilësuar miratimin e Ligjit të ri për lojërat e fatit si një arritje politike në favor të fëmijëve dhe familjes së shëndoshë. Sipas VLEN-it, largimi i kazinove 500 metra larg shkollave pritet të mbrojë të rinjtë që u ekspozuan ndaj kësaj kulture të rrezikshme.
“Më në fund shteti vendoset në anën e familjes, fëmijëve dhe të rinjve. Për vite me radhë industria e bixhozit u lejua të zgjerohet, pa kontroll të hyjë në lagjet tona, të afrohet pranë shkollave dhe të bëhet pjesë e përditshmërisë së qytetarëve. Me ligjin e ri vendoset distanca minimale prej 500 metrash nga shkollat fillore dhe të mesme. Sipas vlerësimeve tona, me miratimin e këtij ligji, numri i objekteve të lojërave të fatit në të gjithë territorin e vendit pritet të ulet për rreth 75%. Në Çair, për shkak të mënyrës se si është organizuar infrastruktura dhe afërsisë së objekteve arsimore, ulja mund të arrij deri në 90%. Me këtë ligj vendosen kushte më të rrepta për licencim. Ndalohet reklamimi që e paraqet bixhozin si sukses apo si mënyrë jetese, ndalohet përdorimi i figurave publike dhe përmbajtjeve që synojnë të miturit.”, - deklaroi Muhamed Murtezi nga VLEN.
