Rikonstruimi i Qeverisë, VMRO-DPMNE sonte vendos për ministrat e rinj
Vetëm pak orë na ndajnë nga publikimi i përbërjes së re të kabinetit qeveritar...

Vetëm pak orë na ndajnë nga publikimi i përbërjes së re të kabinetit qeveritar. Partnerët e koalicionit kanë arritur një marrëveshje parimore për ndarjen e resorëve në kuadër të rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë, ndërsa emrat e ministrave të rinj pritet të zyrtarizohen sonte, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
Nga kjo parti thonë se sonte do të finalizohen të gjitha emrat e ministrave që do të përfaqësojnë VMRO-DPMNE-në në përbërjen e re të Qeverisë.
"Siç e theksoi edhe më herët kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe mandatar për formimin e Qeverisë, Hristijan Mickoski, sonte do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ku do të finalizohen emrat e ministrave të rinj që do të udhëhiqen nga VMRO-DPMNE-ja. Bëhet fjalë për kuadro me përvojë dhe cilësi, të cilët do të vazhdojnë me reformat, me më shumë projekte për qytetarët dhe me një vizion për një të ardhme më të mirë, në të cilën të gjithë ne meritojmë të jetojmë.", - deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Në opinion prej kohësh përfliten ndryshime në disa ministri, por VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i ende nuk kanë saktësuar se cila parti do të udhëheqë cilin resor pas rikonstruimit.
Durmishi: Vendosin krerët e VLEN-it
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, tha se vendimet për këto çështje vazhdimisht po merren në koordinim mes partnerëve të koalicionit.
“Këtë e vendosin partnerët e koalicionit, normalisht në kuadër të bashkëkryetarëve të VLEN-it me partnerët e koalicionit diskutojnë se cilat do të kenë ndryshim resorësh, ku do të ketë shkarkim dhe emërim të ministrave të rinj.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
BDI: VMRO-ja propozon edhe ministrat shqiptarë
BDI ka akuzuar VLEN-in se me ose pa rikonstruim, nuk ka fuqi reale në vendimmarrjen qeveritare. Sipas kësaj partie, edhe emrat e propozuar për ministra shqiptarë nuk përcaktohen nga VLEN-i, por nga faktorë të tjerë jashtë koalicionit.
“Rikonstruim, se pa rikonstruim VLEN-i në Qeveri nuk ka “takat”. Janë pa “takat”, nuk kanë potencë, vetë e thonë, vet e promovojnë, ku nuk e kanë mbështetjen e popullit, por janë aty për të realizuar interesat e tyre. Unë dëgjoj se VMRO-DPMNE propozon edhe emra të ministrave shqiptarë, të cilët vijnë nga VLEN-i. VLEN-i nuk i propozon.”, - theksoi Arbër Ademi nga BDI.
LSDM: Hiq njërin, vendos tjetrin
Edhe socialdemokratët kanë reaguar, duke e cilësuar rikonstruimin e paralajmëruar si një teatër me aktorë të njëjtë. Sipas LSDM-së, zëvendësimi i disa emrave në Qeveri nuk do të sjellë ndryshime reale dhe nuk do ta përmirësojë jetën e qytetarëve.
“Rikonstruksioni i paralajmëruar i Qeverisë së Mickoskit është vetëm zëvendësim, hiq njërin vendos tjetrin, dhe asgjë më shumë. Pas dy vitesh qeverisjeje, Qeveria e Hristijan Mickoskit nuk ka dorëzuar as rezultate ekonomike, as standard më të lartë jetese, as drejtësi, asgjë. Asnjë premtim zgjedhor nuk është realizuar.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga LSDM.
Përndryshe, ky është rikonstruimi i parë i kësaj Qeverie. Me përbërjen e re të kabinetit qeveritar pritet të vazhdohet me realizimin e prioriteteve dhe reformave të programuara, ndërsa ekzekutivi synon ta çojë mandatin deri në fund me këtë konfigurim të ri në dy vitet e mbetura. (Rexhep Qamili, TVM2)
