Korrupsion në shëndetësi, listat e gjata të pritjes, shkas për mito
Rreth 84 për qind e punonjësve shëndetësorë...

Rreth 84 për qind e punonjësve shëndetësorë konsiderojnë se korrupsioni është pjesërisht ose shumë i përhapur në sektorin ku ata punojnë, ndërsa vetëm 14 për qind e tyre pranojnë se kanë qenë personalisht të përfshirë ose kanë qenë dëshmitarë të një akti korruptiv në institucionin e tyre.
Këtë e tregon hulumtimi i fundit i Shoqatës për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave “ESE”. Sipas këtij hulumtimi, më shpesh korrupsioni lidhet me përshpejtimin e një kontrolli te specialisti, shtrirjen apo hospitalizimin në spital, si dhe kryerjen e operacioneve pa pritje, theksojnë nga kjo shoqatë.
"Korrupsioni në shëndetësi nuk mund të trajtohet si një rast i izoluar, e veçanërisht në kujdesin shëndetësor gjinekologjik dhe obstetrik nuk mund të konsiderohet si një incident i veçuar apo si problem i individëve. Ai ekziston për shkak të problemeve dhe rreziqeve sistemore, sidomos kur pacientët detyrohen të përballen me lista të gjata pritjeje për kontrolle dhe ndërhyrje mjekësore, mungesë të kuadrit shëndetësor, mungesë të pajisjeve, si dhe me numër të kufizuar dhe qasje të vështirë në terminet për operacione.", - deklaroi koordinatori për Shëndetin Publik në OJQ “ESE”, Borjan Pavlovski.
Punonjësit shëndetësorë të anketuar janë shprehur të vetëdijshëm për praninë e korrupsionit, por shumica prej tyre e pranojnë atë si një dukuri tashmë të normalizuar dhe nuk e raportojnë, thonë nga kjo shoqatë.
Përveç kësaj, të punësuarit në sektorin shëndetësor përballen edhe me forma të tjera të abuzimit, përfshirë kërkimin e favoreve intime apo seksuale në këmbim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjes. Fenomen ky, i cili është i pranishëm edhe brenda vetë stafit shëndetësor, në mënyrën e funksionimit dhe marrëdhënieve të brendshme profesionale.
“Kërkimi i favoreve intime apo seksuale në këmbim të ofrimit të shërbimit shëndetësor dhe mbrojtjes, duhet të themi se ai është i pranishëm jo vetëm në marrëdhëniet e punonjësve shëndetësorë dhe bashkëpunëtorëve ndaj pacienteve gra, por edhe brenda vetë personelit shëndetësor dhe bashkëpunëtorëve në funksionimin e tyre.”, - deklaroi drejtorja e Shoqatës “ESE”, Jasmina Frishçiq.
Hulumtimi është realizuar përmes një ankete me 410 punonjës dhe bashkëpunëtorë shëndetësorë, si dhe intervistave gjysmë të strukturuara me 21 drejtorë ose udhëheqës të institucioneve gjinekologjike-obstetrike.
Ky hulumtim është mbështetur financiarisht nga Agjencia Franceze për Zhvillim dhe është pjesë e projektit “Një sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë; Reduktimi i korrupsionit në shëndetësi”, i zbatuar nga Shoqata “ESE”. (Rexhep Qamili, TVM2)
