Maqedoni

Dhurimi i organeve, nga 1 tetori deklarimi te mjeku amë

01.07.2026 14:44

Nga 1 tetori i këtij viti, çdo qytetar i rritur, tek mjeku amë do të mund të deklarojë nëse dëshiron të jetë dhurues i organeve dhe indeve pas vdekjes...

Nga 1 tetori i këtij viti, çdo qytetar i rritur, tek mjeku amë do të mund të deklarojë nëse dëshiron të jetë dhurues i organeve dhe indeve pas vdekjes. Para se të bëjë deklaratën, mjeku është i detyruar ta informojë qytetarin për kuptimin e vendimit, pasojat ligjore dhe të drejtën për ta ndryshuar atë në çdo kohë.
 
“Nuk donim që qytetarët të dëgjonin vetëm procedura për këtë pjesë, donim të kuptonin që pas çdo transplantimi qëndron jetë njerëzish, familje që presin dhe një shpresë që nuk guxon të mbetet pa mbështetje sistemore në shtetin tonë, pikërisht këtë e bën edhe ndryshimi i këtij ligji, vullneti i qytetarit më në fund merr një vend të qartë në ligj të dukshëm dhe të mbrojtur. Çdo qytetar madhor gjatë vizitës te mjeku i tij amë do të mund të deklarohet që dëshiron apo nuk dëshiron që pas vdekjes së tij të jetë dhurues organesh.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
                               
Koordinatorja Nacionale e Transplanteve, Biljana Kuzmanovska, tha se  kanë punuar në ndryshimet Ligjore në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Ligjor, Shërbimin e Marrëdhënieve me Publikun të Ministrisë së Shëndetësisë, ekspertët e transplantimit dhe të gjitha ekipet mjekësore.
 
"Thënë thjesht, këto ndryshime dolën nga situata në terren. Situata në terren ishte si më poshtë: kishim shumë donatorë potencialë të përpunuar, por një shkallë të ulët pëlqimi. Ne të gjithë u ulëm së bashku, nga një aspekt mjekësor, nga një aspekt ligjor, nga një aspekt njerëzor, për të menduar për arsyet e kësaj dhe si mund të përmirësohemi, si t'i afrohemi sistemeve që janë më të suksesshme në transplantim se ne, sigurisht synojmë më të mirën dhe gjithmonë duhet të synojmë më të mirën. Këtu ngrihet individi, ngrihet vullneti i individit. Pra, sa herë që kishte dyshime në familje, ne as nuk duhet t'i stigmatizojmë dhe as t'i dënojmë ata që nuk dhanë pëlqimin, por duhet të kuptojmë se kjo do të thotë orë të humbura pune, ekipe në gatishmëri, materiale. Ne nuk e shpikëm këtë. Kjo ekziston në shumë vende që kanë sisteme transplantimi më të suksesshme.”, - theksoi koordinatorja nacionale e transplanteve, Biljana Kuzmanovska.
 
Më 29 qershor, Parlamenti miratoi Ligjin për Ndryshimet në Ligjin për heqjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllim trajtimi, me 58 vota "pro" dhe gjashtë "kundër". 
 
VLORA LATIFI STOPOJANI