Rikonstruimi i Qeverisë në fazën finale, Mickoski: VLEN dhe “E di” do t’i kumtojnë vetë propozimet
Rikonstruimi i Qeverisë është drejt fazës së fundit...

Rikonstruimi i Qeverisë është drejt fazës së fundit. Në adresën e kryeministrit Hristijan Mickoski kanë arritur edhe emrat e kandidatëve për ministra nga koalicioni VLEN dhe Lëvizja “E di”, duke shtuar se të nominuarit janë të pranueshëm për të, por nuk dëshiron t’i bëjë publikë para partive amë prej ku vijnë propozimet për ministrat e rinj në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë.
Shefi i ekzekutivit pohon se VLEN-i do të udhëheqë me drejtësinë, kulturën dhe me Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
“Po. I kam propozimet për ministrat e rinj nga partia VLEN dhe “E di’, por ua lë atyre që t’i njoftojnë, nuk i them unë. Për mua ato propozime janë në rregull dhe pres që të kemi punë edhe më të suksesshme në përbërjen e re të Qeverisë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ndonëse VLEN-i akoma nuk ka dalë me informacione zyrtare për emrat që do të përfshihen në rikonstruim të Qeverisë, bëhet e ditur se Zoran Ljutkov do të zëvendësohet nga Sedat Sulejmani në dikasterin e kulturës.
Ministri i ri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive pritet të jetë Agon Ferati, ndërsa Igor Filkov do t’ia lërë postin ministror të ri drejtësisë, Jeton Shasivarit.
Një ditë më parë kryeministri Mickoski njoftoi se partia e tij VMRO-DPMNE merr Ministritë e Shëndetësisë dhe Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Partia e tij propozon drejtorin aktual të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, si ministër të Shëndetësisë, ndërsa zëvendësministri aktual Gjoko Velkovski, propozohet për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale nga VMRO-DPMNE, Zllatko Perinski, do të emërohet për të zëvendësuar Klekovskin, ndërsa zëvendëskryeministri aktual dhe ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, propozohet si ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale.
Lëvizja “E di” pas humbjes ndaj Drejtësisë, do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Me rikonstruimin shfuqizohet resori për Qeverisje të Mirë, dhe ky dikaster kalon drejtpërdrejt nën ingerencat e kabinetit të Kryeministrit. Mickoski njofton gjithashtu se Partia Demokrate e Turqve hyn zyrtarisht në koalicionin qeverisës dhe do të marrë një ministër pa portofol.
Propozimet do të arrijnë në Kuvend deri të premten, njofton shefi i ekzekutivit, ndërkaq për rikonstruimin e Qeverisë pritet të votohet në Kuvend kah mesi i korrikut. Për postet e zëvendësministrave do të diskutohet pas pushimeve, gjegjësisht në shtator. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
