Moti i keq godet kryeqytetin, reshjet sjellin përmbytje dhe kaos në qarkullim
Shiu la pas probleme në disa pjesë të Shkupit...

“Ajo që nisi si një ditë e zakonshme vere, brenda pak minutash u shndërrua në një stuhi të fuqishme. Reshjet e rrëmbyeshme të shiut përmbytën rrugë, vështirësuan qarkullimin dhe detyruan shumë qytetarë të kërkonin strehim”
Shiu la pas probleme në disa pjesë të Shkupit. Uji mbuloi disa segmente rrugore pas intensitetit të lartë të reshjeve, ndërsa në disa komuna u sinjalizuan vështirësi për lëvizjen e automjeteve dhe mosfunksionim normal i rrjetit të kanalizimeve.
Ekipet kompetente dolën në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë aty ku ishte e nevojshme.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, informoi se pas motit të rëndë që sot e përfshiu kryeqytetin, Shtabi i Krizave, së bashku me ekipet e ndërmarrjeve publike, është plotësisht i mobilizuar dhe i gatshëm për ndërhyrje të shpejtë në terren.
“Jemi në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK), MPB-në, EVN-në, Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe të gjitha institucionet kompetente. Të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion, me një qëllim të vetëm: mbrojtjen në kohë të qytetarëve dhe parandalimin e pasojave më të mëdha.Ekipet e Qytetit të Shkupit do të jenë në dispozicion gjatë gjithë natës dhe do të intervenojnë kudo që do të jetë e nevojshme”, ka theksuar Gjorgjieski.
Edhe Komuna e Çairit njoftoi se ekipet komunale, Ndërmarrja Publike “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabi i Krizave dhe shërbimet e tjera kompetente janë në terren dhe po monitorojnë situatën.
“Për shkak të motit të ligë që ka përfshirë Shkupin, ekipet e Komunës së Çairit, ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabi i Krizave, si dhe shërbimet e tjera kompetente, janë në terren dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, duke monitoruar gjendjen dhe duke ndërhyrë kudo që paraqitet nevoja. Shërbimet komunale do të jenë në dispozicion gjatë gjithë natës për të reaguar ndaj çdo situate të shkaktuar nga reshjet dhe erërat e forta. Apelojmë te qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me shërbimet kompetente. Qytetarët që evidentojnë drunj të rrëzuar, degë të thyera apo pengesa të tjera në rrugë, luten t’i paraqesin në numrin 112, në mënyrë që ekipet të mund të ndërhyjnë sa më shpejt”, thonë nga Komuna e Çairit.
Mot i lig i shoqëruar me reshje të dendura të shiut, bubullima, erë të fuqishme dhe paraqitje lokale të breshrit është regjistruar në disa pjesë të vendit, bëjnë të ditur nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Përveç Shkupit, procese më intensive atmosferike janë vërejtur edhe në rrethinën e Demir Hisarit, në rajonin e Gradskos, Tikveshit, Negotinës dhe Kavadarit.
Mot i paqëndrueshëm është regjistruar edhe në rajonin e Pollogut. (Ersan Pajaziti, TVM2)
