Maqedoni
40 milionë euro për Ushtrinë, BE-ja forcon kapacitetet mbrojtëse të RMV-së
03.07.2026 14:28
Armata e RMV-së ka marrë pajisje të reja ushtarake të siguruara me mbështetje financiare nga BE përmes Fondit Evropian për Paqe

Armata e Maqedonisë së Veriut ka marrë pajisje të reja ushtarake të siguruara me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian përmes Fondit Evropian për Paqe, në kuadër të paketës së ndihmës së dedikuar për modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Ambasadori i Bashkimit Evropian, Rokas, vlerësoi se bëhet fjalë për një rezultat të dukshëm të partneritetit mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut.
“Po i shohim rezultatet dhe po shohim se si ky partneritet jo vetëm që sjell pajisje të reja, por përfshin edhe trajnim. Po shohim ushtrime të shkëlqyera të simuluara nga forcat. Siç e dini, ne kemi siguruar 38milionë euro dhe kjo është një fillim i një partneriteti të mrekullueshëm.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas.
Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, theksoi se me këtë është realizuar plotësisht paketa e parë e ndihmës në vlerë prej 40 milionë eurosh, e siguruar përmes Fondit Evropian për Paqe, ndërsa është në proces realizimi edhe paketa e dytë e mbështetjes për Ushtrinë.
“Pas meje mund ta shihni paketën e parë të pajisjeve që ka mbërritur, për të cilën punojmë vazhdimisht. Shpresoj që në periudhën e ardhshme do të njoftojmë paketa shtesë që do të përfshijnë edhe pajisje të tjera.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se kjo mbështetje përbën një njohje për përkushtimin e ARM-së ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe shprehu mirënjohje ndaj BE-së për ndihmën e vazhdueshme në procesin e modernizimit.
“Tek ne fondet për mbrojtje arrijnë deri në 4 për qind, gjë që për ne përbën një objektiv që do të përpiqemi ta ruajmë në vitet në vijim 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke pasur parasysh se PBB-ja nominale po rritet me rreth 8 për qind ose më shumë, kjo do të jetë një sfidë, por si Qeveri kemi prioritet të investojmë në Ushtrinë tonë dhe ta bëjmë atë më konkurruese, edhe pse ajo tashmë është shumë konkurruese.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Fondi Evropian për Paqe është një instrument i Bashkimit Evropian përmes të cilit financohen masa për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve partnere dhe për mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
ERSAN PAJAZITI
