Kodi zgjedhor, Mickoski: Jemi të gatshëm të lëshojmë pe

05.07.2026 15:58

Pa një marrëveshje konkrete për Kodin zgjedhor...

Pa një marrëveshje konkrete për Kodin zgjedhor, ka përfunduar takimi mes partive politike në Kuvend, ka bërë të ditur kryeministri, Hristijan Mickoski. Megjithatë, ai theksoi se Qeveria dhe VMRO-DPMNE-ja janë të gatshme të lëshojnë pe dhe të pranojnë një njësi zgjedhore, e madje edhe kërkesat e partisë “E Majta” për më shumë para për financimin e fushatave të partive më të vogla, vetëm që të mundësohet miratimi i Kodit të ri Zgjedhor.

“Ne si parti politike e bëmë të qartë se votimi më i gjerë është qëllimi ynë strategjik. Nga ana tjetër, një pjesë e partive politike dolën me pozicione plotësisht të radikalizuara. Njëri pozicion ishte që të votohet me konsensus shtetëror, gjë që për ne është e papranueshme. Praktikisht, ky është një pozicion me të cilin dikush që në fillim nuk dëshiron të ketë marrëveshje. Qëndrimi ynë është i qartë. Nëse duan më shumë para, mirë, le të ketë më pak për ne dhe më shumë për ta. Pastaj do të pajtohemi edhe për një njësi zgjedhore” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

LSDM: Rrezik për manipulim të votave

LSDM-ja nga ana tjetër ka akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Hristijan Mickoski se po përpiqen sërish të vendosin një model, i cili sipas tyre, lejon hapësirë për keqpërdorime gjatë votimit të shtetasve maqedonas në diasporë.

Nga partia thonë se nuk janë kundër të drejtës së diasporës për të votuar, por kundër, siç theksojnë, mundësisë për manipulime zgjedhore.

“Është gënjeshtër se LSDM-ja është kundër votimit të diasporës. LSDM-ja është kundër asaj që Mickoski të votojë në vend të diasporës. Zëvendësimi i votimit elektronik, pa asnjë kontroll, me letra përmes postës, pa pasur mundësi që KSHZ-ja ta rregullojë këtë me konsensus, nuk është garanci për siguri dhe kontroll të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve, por një mundësi e re për manipulime dhe parregullsi zgjedhore.” – thanë nga LSDM.

“E Majta”: Kërkesat tona u refuzuan

Edhe “E Majta” i hodhi poshtë sot si të pasakta deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, se kërkesat e kësaj partie opozitare në Grupin e Punës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor janë pranuar plotësisht.

“Një njësi zgjedhore dhe Kodi i ri Zgjedhor ishin arsyeja pse u formua përgjithësisht Grupi i Punës. Një njësi zgjedhore nuk është një kërkesë e re e partisë sonë e shpikur brenda natës, për të flitet me dekada. Ajo qëndron e shkruar madje edhe në programin partiak të DPMNE-së”, thuhet në komunikatën e partisë “E Majta”.

Ndryshe, miratimi i Kodit të ri Zgjedhor mbetet një nga hapat kyç që vendi duhet të plotësojë në kuadër të Agjendës Reformuese. (Ersan Pajaziti, TVM2)