Maqedoni

Autostrada Shkup – Bllacë, në gusht do të nisë ndërtimi, kushton rreth 200 milionë euro

06.07.2026 13:59

Është siguruar konstruksioni i plotë financiar për ndërtimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë....

Është siguruar konstruksioni i plotë financiar për ndërtimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë. Drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski, dhe përfaqësuesi i BERZh-it, Fatih Turkmenoglu, nënshkruan marrëveshjen e grantit prej 30.8 milionë eurosh, të siguruar nga Korniza e Investimeve e BE-së për Ballkanin Perëndimor, ndërsa projekti financohet edhe me një kredi prej 167.6 milionë eurosh. Autostrada, me gjatësi 10.5 kilometra, do të lidhë udhëkryqin e Stenkovecit me qarkoren në Bllacë.
 
"Mjetet financiare nga granti sigurohen përmes Kornizës së Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Vlera e grantit është 30.8 milionë euro, ndërsa kredia, përkatësisht huaja, arrin në 167.6 milionë euro. Me këtë përmbyllet konstruksioni financiar për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, konkretisht segmentit nga Stenkoveci deri në kufirin me Kosovën.", - deklaroi drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski.
 
"Ky është një projekt i shkëlqyer për vendin, sepse përmirëson lidhjen rajonale, veçanërisht me Kosovën, dhe njëkohësisht mbështet rritjen ekonomike. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos për krijimin e vendeve të reja të punës.", - theksoi përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fatih Turkmenoglu.
 
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski; zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski; zëvendësministrja Kaltrina Zekolli - Shaqiri dhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas. Nikolloski dhe Rokas e vlerësuan autostradën Shkup-Bllacë si një projekt me rëndësi strategjike për vendin, rajonin dhe Evropën.
 
"Kjo është një zgjidhje që është pjesë e korridorit trans-evropian Rruga 6, që duhet të lidhë Shkupin me Prishtinën, por edhe të vazhdojë më tej drejt Perëndimit, duke lidhur Tiranën dhe Durrësin, si dhe të vazhdojë deri në Bar. Në këtë mënyrë, Shkupit i hapet edhe një port tjetër dhe një mundësi e re për zhvillimin e tregtisë, biznesit dhe turizmit.", - u shpreh ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.
 
“Sigurisht që fotografia është më e madhe se kaq, sepse përforcon pozicionin e Maqedonisë së Veriut në rrjetin trans-evropian, duke përforcuar lidhjet në Ballkanin Perëndimor. Lidhjet transportuese do të thonë fuqizim të rolit ekonomik, më shumë bashkëpunim rajonal dhe integrim më të afërt me Bashkimin Evropian. Sapo projekti të përfundojë, ai do ofrojë lidhje më të sigurta në kufirin me Kosovën, do të zvogëlojë kohën e udhëtimit dhe do të afrojë qytetarët në të dy anët e kufijve.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas.
 
Punimet ndërtimore të autostradës Shkup–Bllacë pritet të nisin muajin e ardhshëm dhe të zgjasin rreth katër vjet. Kryeministri Hristijan Mickoski shprehu kënaqësinë që, krahas këtij projekti, njëkohësisht po punohet edhe në gjashtë akse të tjera autostrade në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, kjo qeveri nuk do të mbahet mend për premtime boshe, por për investime kapitale.
 
“Kjo autostradë me vite ka qenë simbol i premtimeve të parealizuara. Pothuajse çdo qeveri e ka premtuar, çdonjëra premtonte para zgjedhjeve se pikërisht ata do ta ndërtojnë, ndërsa disa të parët me vite rrihnin gjoks se ata pikërisht përkujdesen më tepër për këtë pjesë të shtetit. Në fund e gjithë ajo mbeti fjalë të zbrazët, me disa parcela të blera në këtë pjesë të autostradës nga njerëz me prapavijë të errët dhe persona që lidhen me disa parti politike, e gjithë tjetra mbeti vetëm në premtim.”, - theksoi kryeministri, Histijan Mickoski.
 
Kjo autostradë do të ketë nga dy korsi në secilin drejtim, me gjerësi prej 3.5 metrash secila, si dhe një korsi ndalimi me gjerësi 2.5 metra. Gjerësia e përgjithshme e autostradës do të jetë 27 metra. Meqenëse traseja kalon nëpër terren kodrinor-malor, projekti përfshin ndërtimin e pesë tuneleve, nëntë urave, 11 mbikalimeve, katër galerive mbrojtëse dhe nëntë mureve mbajtëse. Gjithashtu u bë e ditur se kompania “Granit” është përzgjedhur si realizuese e punimeve, ndërsa është zgjedhur edhe konsulenti i projektit. Ndërkohë, përzgjedhja e mbikëqyrësit të punimeve pritet të përfundojë së shpejti.
 
REXHEP QAMILI