Maqedoni

Kodi i ri zgjedhor, procesi vazhdon të mbetet i bllokuar

06.07.2026 14:26

Dështon përpjekja e grupeve të punës për të dakorduar qëndrimet për kodin e ri zgjedhor....

Dështon përpjekja e grupeve të punës për të dakorduar qëndrimet për kodin e ri zgjedhor. Takim i ri është caktuar për nesër. Partitë politike LSDM dhe VMRO – DPMNE të palëkundur në qëndrimet e tyre sa i takon votimit elektronik të diasporës. Nga LSDM thonë se Mickoski nuk është i interesuar për reforma, por vetëm për vjedhje zgjedhore. Ata ftojnë pushtetin që të dorëzojë propozim në të cilin do të nënvizohet se KShZ-ja me konsensus mund të rregullojë votimin e diasporës. Kjo, sipas tyre, do të shtonte transparencë gjatë votimit.
 
“Është e rrezikshme dhe shqetësuese që VMRO në mënyrë të prerë refuzon që KShZ-ja me konsensus të rregullojë procedurat për votimin e diasporës. Nga çka frikësohet pushteti? Nëse me të vërtetë qëllimi i tyre janë zgjedhjet ferr dhe demokratike, atëherë përse ikin nga mekanizmi që siguron kontroll, besim dhe dakordim midis të gjithë aktorëve politik.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
Nga VMRO – DPMNE pohojnë se kanë pranuar të gjitha kërkesat e opozitës. Ata akuzojnë Partinë E Majta se nuk i ka qëndruar besnike marrëveshjes, duke përfshirë edhe partinë e Filipçes në bllokimin e sjelljes së reformës zgjedhore.
 
“Edhe pse me konsensus të të gjitha partive politike u pranua ajo që Dimitar Apasievi dhe E Majta e kërkoi, e kjo është më shumë para nga buxheti për financimin e fushatës. Majtistët nga Temu, sot këtë marrëveshje e shfuqizojnë. Para qytetarëve thonë se problemi qëndron te modeli zgjedhor, i cili duhet të jetë me një njësi zgjedhore, një gjë që edhe ne e mbështesim. Por, prapa perdes, ata i intereson vetëm paraja.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO – DPMNE.
 
Gashi mbështet votimin elektronik të diasporës
 
Kryeparlamenatri Afrim Gashi ftoi deputetët për kompromis nëpërmjet  arritjes së konsenzusit. Ai në një takim me gazetarët mbështet votimin elektronik të diasporës, vetëm nëse garantohet votim i fshehtë.
 
“Këtë punë e lë në duart e grupeve parlamentare, që ata të dakordohen. Ndërkohë unë do të organizoj vazhdimin eventual të debatit deri në seancë plenare. Unë mbështes votimin elektronik të diasporës. Nëse shteti mund të sigurojë mekanizëm që do të sigurojë siguri dhe fshehtësi gjatë votimit, nuk do të duhet të ketë problem, dhe e njëjta të realizohet.”, - shprehet kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.  
 
Procesi është bllokuar në Kuvend nga 13 mijë amendamentet opozitare. Përpos votimit elektronik të diasporës partitë janë përplasur edhe sa i takon financimit të fushatave zgjedhore. Kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi ka dhënë sinjale për kompromis, duke propozuar që votimi elektronik i diasporës të zëvendësohet me postë. Ndryshimet duhet të arrihen deri më 15 korrik, si pjesë e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke i sjellë vendit mbi 4 milionë euro para evropiane.
 
MERAL ISMAILI