Maqedoni
Kuvend, u promovua Kodi i ri i sjelljes së deputetëve
07.07.2026 14:57
Në Kuvend u promovua Kodi i ri i sjelljes etike të deputetëve i miratuar një muaj më parë....

Në Kuvend u promovua Kodi i ri i sjelljes etike të deputetëve i miratuar një muaj më parë. Dokumenti përcakton parimet dhe standardet e sjelljes për të zgjedhurit e popullit gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, duke synuar forcimin e përgjegjësisë integritetit dhe besimit të qytetarëve në institucionin ligjvënës. Sipas këtij kodi, deputetët duhet të veprojnë me profesionalizëm, transparencë dhe në funksion të interesit publik.
“Miratimi i këtij Kodi nuk përfaqëson përmbylljen e këtij procesi, por përkundrazi shënon fillimin e vendosjes së standardit të ri në jetën parlamentare. Demokracia buron nga vullneti i popullit, por ndërtohet përmes ligjeve dhe institucioneve stabile, ndërsa mbahet gjallë nga kultura politike. Jetëgjatësinë e saj e garantojnë respekti i ndërsjellë, përgjegjësia dhe vetëdija se mandati i deputetit nuk është privilegj, por besim i dhënë nga qytetarët. Pikërisht për këtë arsye, ky Kod i ri para së gjithash paraqet një marrëveshje morale që deputetët po e nënshkruajnë edhe me qytetarët.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
Kodi u miratua më 15 qershor të këtij viti. Në ngjarjen promovuese morën pjesë edhe ambasadori Kilijan Vall, shefi i lartë rezident i NDI Maqedonia e Veriut, Robert Skot Hazlet, Ajla Van Heel Merdanoviq, si dhe Mile Lefkov. Në kuadër të ngjarjes u zhvillua edhe një diskutim me temë “Nga miratimi deri te zbatimi, hapat e ardhshëm”, i kushtuar zbatimit praktik të standardeve të reja etike në punën e deputetëve.
REXHEP QAMILI
