Maqedoni

Ndërtimi i rrugës Shkup – Bllacë, VLEN: Projektet realizohen me punë

07.07.2026 15:43

VLEN-i e ka cilësuar historike nënshkrimin e kontratës për financimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup - Bllacë...

VLEN-i e ka cilësuar historike nënshkrimin e kontratës për financimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup - Bllacë, në vlerë prej rreth 200 milionë eurosh. Sipas partisë shqiptare në pushtet, ky projekt, në të kaluarën, është keqpërdorur vazhdimisht nga BDI-ja për interesa elektorale, ndërsa sot po merr formë në terren.

“Partia që çdo ditë shtiret si mbrojtëse e shqiptarëve, kur ishte në pushtet, e përdori këtë projekt vetëm për të mbledhur vota. Rrugën Shkup - Bllacë e kthyen në refren elektoral, por asnjëherë në prioritet qeveritar. E premtuan në vitin 2008. E përsëritën në vitin 2011, në vitin 2014, në vitin 2017, në vitin 2020 dhe sërish në vitin 2023. Pas gjithë këtyre premtimeve, qytetarët panë vetëm rreth dy kilometra rrugë. Për VLEN-in, patriotizmi matet me punë.  Pas shumë vitesh pritjeje, rruga Shkup - Bllacë më në fund kalon nga premtimi në realizim. Ky projekt hap një kapitull të ri për lidhjen me Kosovën, për qarkullimin e qytetarëve, për bizneset, për mërgatën dhe për zhvillimin ekonomik të rajonit.”, - deklaroi Kaltrina Zekolli nga VLEN.